Subjektet opozitare: Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, degët në Ferizaj shprehen mosbesuese për projektin 6-milionësh “Bashkimi i qytetit”.
Megjithëse Komuna e Ferizajt ndodhet në një recesion buxhetor me afro 40 milionë borxhe, ka paraparë të realizojë një projekt që e ka emërtuar “Bashkimi i qytetit”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas këtyre subjekteve, ky projekt nuk është planifikuar mirë derisa ndërtimi i nënkalimeve ka një kosto të madhe për mirëmbajtje, madje rrjeti i ujërave të zeza dhe ai atmosferik janë të vendosur mbi nivelin e projektit.
Por, komuna e Ferizajt tashmë po prezanton në 3D projektin për këtë bashkim dhe një tjetër të ngjashëm në Nikadin.
Projekti i Komunës dhe Ministrisë së Infrastrukturës ka kosto prej 6 milionë eurosh. Ndërtimi i tunelit parashihet ta lidhë rrugën “Gursel e Bajram Sylejmani” me rrugën “Liman Reka”, ndërkaq tuneli tjetër do ta lidhë rrugën e Nikadinit me atë të Varoshit.