Drejtoria e Urbanizmit të Komunës së Pejës ka finalizuar draft-dokumentin e planit të ri zhvillimor komunal (PZHK) për periudhën 2019-2027, por jo edhe dokumentin për hartën zonale, në bazë të cilave përcaktohet kahja e zhvillimit e Komunës së Pejës për tetë vjetët e ardhshëm, shkruan sot “Koha Ditore”.
Përfundimi i draft-dokumenteve për PZHK dhe hartën zonale është pritur të kryhen në fund të muajit dhjetor, ashtu siç patën deklaruar në vjeshtë vetë zyrtarët përgjegjës komunalë për hartimin e këtyre dy dokumenteve, por përfundimi i tyre, siç tregon drejtori i Urbanizmit, Rajan Arapi, ishte zvarritur për shkak të disa afateve kohore të përcaktuara me udhëzimet administrative në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).
“Është bërë një punë e jashtëzakonshme në këtë projekt dhe gjithçka çfarë kemi bërë prioritet kanë: mirëqenia e qytetarëve, zhvillimi i qytetit, mbrojtja e mjedisit bazuar në vizionin ‘Peja e gjelbër dhe vitale’”, thotë Arapi.