“Planifikimi familjar ndikon në zvogëlimin e varfërisë në Kosovë”

Prishtinë | 11 Kor 2018 | 12:09 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në tryezën “Planifikimi familjar është e drejtë njerëzore” u tha se planifikimi është strategji që ndikon në zvogëlimin e varfërisë në Kosovë.

Ulrika Richardson, koordinatore e UNFPA-së, tha se planifikimi familjar nuk ka të bëjë vetëm në kontrollin e numrit të lindjeve, por ka ndikim shumë më të gjerë.

“Është menduar që planifikimi familjar ka pasur të bëjë vetëm me kontrollin e numrit të lindjeve, besoj që kjo është një pikënisje e domosdoshme duke pasur parasysh të drejtën për planifikim familjar dhe të keni fëmijë kur të doni”.

“Secili nga ju, edhe ne si komunitet ndërkombëtar, kemi përgjegjësi për të siguruar se ekziston një progres i duhur dhe i përshpejtuar, për këtë arsye institucionet duhet të mbahen llogaridhënëse. E drejta për planifikim familjar është një strategji për të pasur të drejta të tjera. Pra planifikimi familjar e hap derën për të siguruar të drejtat e tjera. Qasja e duhur për planifikim familjar është kostot produktive dhe kjo mund të shpejtojë zbritjen së varfërisë”, shtoi Richardson.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se institucioni që ai drejton ka bërë punën e nevojshme lidhur me këtë çështje.

Sipas Jasharit, në këtë fushë ka ende punë për të bërë.

Ndërsa Rrustem Musa, zëvendësministër i Shëndetësisë, tha se përkundër punës së bërë ende nuk janë përmbushur rekomandimet e propozuara lidhur me planifikimin familjar, raporton EO.

“Ministria e Shëndetësisë, përkundër vullnetit ende nuk kemi arritur të përmbushim rekomandimet. Mjetet për planifikimin familjar janë në listën e barnave dhe furnizimi bëhet varësisht kërkesave. Mendoj se kemi akoma për të bërë dhe duhet të angazhohemi thellë në këtë drejtim. E drejta në shëndetin seksual dhe riprodhues është e përcaktuar edhe me legjislacionin, është e drejtë që duhet të respektohet”.

Mexhide Mjaku-Topalli, udhëheqëse e Grupit të Grave të Kuvendit të Kosovës, tha se ndonëse Kosova qëndron mirë me natalitet, duhet të  rritet vetëdijësimi i qytetarëve lidhur me planifikimin familjar.

 

Të ngjashme