Qeveria e Kosovës ka sponsorizuar të enjten një platformë për finalizimin e dialogut me Serbinë, por në të cilën nuk ka saktësuar temat që mund të trajtohen dhe as nuk ka listuar parimet mbi bazën e të cilave duhet të udhëhiqet i gjithë procesi, shkruan sot Koha Ditore.
Platforma, e cila ka marrë kritika të forta nga opozita, kërkon që kjo fazë finale t’i lihet në dorë presidentit Hashim Thaçi, ndërsa ratifikimi i marrëveshjes të bëhet nga Kuvendi.
Dokumenti dyfaqësh mban titullin “Platformë shtetërore për finalizimin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve”. Ka nëntë pika dhe i propozohet Kuvendit ta miratojë. Në të theksohen objektivat kryesore, që i synon pala kosovare nëpërmjet dialogut.