Vetizolimi dhe distanca sociale dha rezultate, të shpresojmë se jemi në fundin e Pandemisë dhe se këtë sfidë e tejkaluam. Por, pasojat për ekonominë e vendit tashmë janë të mëdha. Krizën ekonomike do ta ndajmë me tërë botën.
Nga java e kaluar filluam me hapjen graduale të ekonomisë me masa të paracaktuara të sigurisë, por efektet negative do të vazhdojnë edhe për një kohë të gjatë, falë pasojave të mbylljes dhe kufizimeve të aktivitetit ekonomik për gati dy muaj, humbjeve që tashmë janë shkaktuar dhe faktit se disa sektorëve të ekonomisë do tu duhet edhe një kohë për tu rikthyer në aktivitetin normal në treg.
Është iluzore të presim që konsumi të kthehet në nivelin e para Pandemisë, marrë parasysh se rreth 40,000 biznese deri më sot kanë parashtruar kërkesa për ndihmë për pagat për të punësuarit e tyre nga Pakoja emergjente. Po flasim për rreth 170,000 të punësuar që presin ndihmën prej 170 euro nga Pakoja emergjente, të cilëve u kanë ra të hyrat dhe rritur pasiguria se bizneset në të cilat ata janë të punësuar nuk do ti mbijetojnë krizës, dhe ata do të mbetën pa punë.
Teoritë e ndryshme të shpërfaqura në media për kthimin e fuqishëm të virusit në vjeshtë, projeksionet e ndryshme për rënien ekonomike që do të pësojmë dhe reagimi i vonuar dhe i pamjaftueshëm me pakon emergjente ka ngritur ndjenjën e pasigurisë tek qytetarët. Kjo do të reflektohet në sjelljen e tyre si konsumator, në hezitimin e tyre për të shpenzuar, investuar, e që edhe më shumë do ta rëndoj situatën ekonomike duke zvogëluar kërkesën agregate, qarkullimin e parasë, falimentimin e bizneseve dhe shtimin e numrit te papunëve në vend.
Infuzioni që ekonomia e vendit e merrte gjatë muajve të verës nga vizita e bashkëatdhetarëve tanë, këtë verë do të jëtë i reduktuar. Është normale që edhe remitancat të bien se kriza ka përmasa globale. Ekonomia e vendit është e rrezikuar dhe reagimi i shtetit duhet të jetë i shpejtë dhe fuqishëm.
Tashmë shtetet kanë reaguar me pakot e tyre stimuluese për ekonominë e vendit. Gjermania me vlerë 20% të GDP-së e që kap vlerën rreth 800 Miliardë euro. SHBA të me 10% të GDP-së me rreth 2000 miliardë Dollarë, Danimarka me 13 % të GDP-së. Duke marë si orientim reagimin e vendeve të ndryshme Evropiane dhe të rajonit, Kosova do të duhet të reagoj me vlerën monetare të 10% të Bruto Produktit të brendshëm (GDP) e që për vitin 2019 ka vlerën 8 miliardë e 200 milion dollarë. Ekonomia e vendit ka nevojë urgjente për 800 milion euro që do të siguroheshin nga rritja e borgjit publik (kredimarrje), rezerva shtetërore fiskale, dhe format tjera në dispozicion në këtë kohë.
*Reagimi ndaj krizës së pari duhet të bëhet duke siguruar likuiditetin e humbur të bizneseve për të siguruar vazhdimin e aktivitetit të tyre ekonomik.
*Masa e ardhshme duhet të jëtë përpjekja për ta mbajtur të sheshtë kurben e numrit të vendeve të punës, të humbura nga pasojat e krizës ekonomike. Shumë biznese do të gjinden në vështirësi dhe do të kemi rritje të papunësisë. Sikur që u veprua në luftë me Covidin-19 me masa për ta ruajtur sistemin shëndetësor të mos kolapsoj, ashtu edhe masat në ekonomi duhet të sigurojnë që papunësia të mos rritet në mënyrë eksponenciale por ta zgjasim për së paku një vit duke i dhënë mundësi ekonomisë të rikuperohet, të krijohen vende të reja të punës që do të absorbonin të papunët që do paraqitën në treg falë mbylljes së bizneseve që këtë krizë nuk do të mund ta tejkalojnë. Është e një rëndësie të përgjithshme të ekonomisë dhe shoqërisë që kjo të ndodhë gradualisht, duke u dhënë mundësi për iniciativa të reja të bizneseve që kriza i ka nxjerrë nga tregu dhe mundësi të punësuarve që humbin vendet e punës të punësohen në biznese tjera, por edhe të stimulojmë vetëpunësimin.
*Masa e tretë është stimulimi i konsumit dhe investimeve. Me kredi të favorshme nga bankat, me politika adekuate fiskale të rrisim kerkesën për mallra dhe shërbime. Sigurisht edhe të krijojmë ambient të besueshëm duke përçuar mesazh të qartë se shteti është funksional dhe këtu për të reaguar në interes të qytetarëve të vet. Duhet vazhduar dhe stimuluar investimet publike për sektorët që planifikojmë ti fuqizojmë në interes të zhvillimit të ekonomisë së vendit duke favorizuar kompanitë vendore. Kjo të mbështetet me reformën e sistemit publik që do të jetë efektiv dhe në shërbim të sektorit ekonomik.
Krizat ekonomike janë raste për ndryshime të mëdha. Të nxjerrim më të mirën nga kjo krizë dhe të ndryshojmë strukturën e ekonomisë së vendit, në interes të zhvillimit të qëndrueshëm në të ardhmen.
Autori është deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës