Mbrëmë, Kombëtarja e Anglisë ka shënuar fitore ndaj asaj të Danimarkës, duke siguruar biletën për në finalen e madhe të kampionatit evropian “EURO2020”, e cila do të mbahet këtë të diele në “Wembley Arena” në Londër.
Kualifikimit të Anglisë i janë gëzuar emra të shumtë, ndër ta edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, e cila jeton në Angli.
Dua tregoi se e ndoqi me miqtë e saj ndeshjen e mbrëmshme, teksa ishte veshur enkas me ngjyrat e flamurit anglez dhe kishte vizatuar simbolin e flamurit në të dy faqet e saj.
Në fotografitë e publikuara në rrjetin social “Instagram”, Dua dukej shumë e buzëqeshur dhe në disponim teksa së bashku me miqtë e saj ndiqnin ndeshjen.
“Po vjen në shtëpi”, shkroi këngëtarja shqiptare në mbishkrimin e këtyre fotografive, duke iu referuar sloganit të famshëm të britanikëve për rikthimin e trofeut të futbollit në Mbretërinë e Bashkuar, aty edhe nga ku ka lindur ky sport.
Dua është e lindur dhe rritur në Londër të Mbretërisë së Bashkuar, teksa për disa vite me radhë në periudhën e adoleshencës, ka jetuar në Kosovë së bashku me familjen e saj.