UNICEF Innovations Lab Kosovo sjell edicionin e ri të punëtorisë PODIUM, i cili ofron mundësi për aftësim në menaxhimin e kampanjave, të cilat adresojnë Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm të përpiluara nga Kombet e Bashkuara globalisht, si dhe lobimin me vendimarrësit për problemet e identifikuara.
Kjo punëtori ka karakter garues, ku mund të aplikojnë të gjithë të rinjtë e moshës 14-24 vjeç, nga e gjithë Kosova, duke formuar një ekip prej 4, 5 ose 6 anëtarësh. Dhjetë ekipet e përzgjedhura do të garojnë përgjatë një fundjave të tërë, në planifikimin e realizimit të ideve të tyre, nga të cilat pesë ekipet që do të përzgjidhen fituese, do të fitojnë deri në 1000 euro mbështetje financiare për implementimin e fushatave të tyre.
PODIUM: Avokim për ndryshim, është punëtori e cila mëson të rinjtë nga grupet e ndryshme (etnike, gjinore, etj.) në Kosovë, se si të avokojnë për nevojat dhe të drejtat e komunitetit të tyre.
Ata trajnohen në ballafaqimin me çështje të ndryshme dhe si të fitojnë përkrahjen publike ndaj tyre, duke i ndihmuar kështu të rinjve të kuptojnë rolin e tyre për të qenë agjent të ndryshimeve shoqërore, dhe duke ndërtuar aftësitë e tyre për të avokuar dhe ndërtuar një jetë më të qëndrueshme në mjedisin ku jetojnë.
Edicioni i radhës i PODIUM-it do të jetë i fokusuar në promovimin e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë.
Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë (SDGs) apo të njohura ndryshe si Qëllimet Globale, janë një thirrje universale për veprim, për t’i dhënë fund varfërisë, për të mbrojtur planetin dhe për të siguruar që të gjithë njerëzit të gëzojnë paqe dhe prosperitet.
Nëse dëshironi të jeni pjesë e PODIUM, apo të mësoni më shumë rreth kësaj iniciative dhe Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshmërisë vizitoni: www.kosovoinnovations.org/PODIUM
Kjo punëtori mbështetet nga Agjencia Austriake për Zhvillim, ING Bank, ndërsa implementohet nga OJQ PEN.