Qytetarët e Podujevës janë në hall nga tufat e mëdha të qenve endacakë që enden nëpër qytet. Ata kanë “pushtuar” institucionet shëndetësore, arsimore e secilën rrugë e park në qytet. E zyrtarët komunalë janë treguar të pafuqishëm për të gjetur një zgjidhje për ta. Vetë ata e pranojnë se qytetarët e sidomos fëmijët rrezikohen çdo ditë nga qentë endacakë.
Zëdhënësi i Komunës, Nazmi Elezi, thotë se kanë kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) që të marrin masa për të gjetur një zgjidhje. Por deri tash nuk kanë marrë ndonjë përgjigje, shkruan sot Koha Ditore.
“Komuna e Podujevës në dy vjetët e fundit nuk ka pasur ndonjë intervenim për eliminimin e qenve endacakë (qoftë edhe eliminim emergjent), andaj numri i tyre është rritur shumë si në qytet ashtu edhe në fshatra. Problem serioz paraqet edhe fakti se një numër i madh i qenve endacakë janë të sëmurë”, ka thënë Nazmi Elezi.