Podujeva rialokon rreth gjysmë milioni euro

Prishtinë | 04 Nën 2019 | 11:11 | Nga Ekonomia Online

Rreth gjysmë milioni euro i ka rialokuar Komuna e Podujevës. Gati 400 mijë euro janë hequr vetëm nga projekti i ndërtimit të Bulevardit të Dëshmorëve, i cili nuk ka filluar ende. Zyrtarët opozitarë e kanë kundërshtuar mënyrën e shpenzimit të buxhetit nga komunarët e Podujevës.

Ata kanë thënë se tash është vonë të zhvillohen procedura për projekte të reja dhe kanë paralajmëruar që në një seancë tjetër sërish mund të ketë rialokim. Shpenzim më të mirë ka kërkuar edhe shefi i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, Avni Fetahu, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Grupi i këshilltarëve të LDK-së e përkrah rialokimin e propozuar, duke shpresuar që në vitin e ardhshëm të bëhet një shpenzim më i mirë. Rialokimin e buxhetit e lejon ligji, por mendoj se kjo do të shkaktojë vështirësi në buxhetin e ardhshëm…”, është shprehur Fetahu.

Të paqëlluar propozimvendimin për rialokim të buxhetit e ka quajtur edhe këshilltari i VV-së, Vendenis Lahu. Ai ka thënë se në njërën prej seancave do të ketë sërish rialokim të mjeteve pasi nuk ka kohë për procedura të reja.

Ndërsa Arbër Blaku nga PDK ka pasur vërejtje për heqjen e mjeteve nga Bulevradi i Dëshmorëve. Ka thënë se kjo po ndodh prej kur është këshilltar komunal.

“Te kodi 30 i Bulevardit po përsëritet qe disa vjet rialokimi, merr këndej e ço andej. Kjo u bë e tepërt, hiqne krejt Bulevardin…”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme