Ditët e Paul Pogbës në Manchester United mund të jenë të numëruara, pasi që mesfushori francez dhe agjenti i tij, Mino Raiola, janë duke e kërkuar një rrugë për t’u larguar nga klubi anglez.
Francezi duket se e ka qartësuar mendjen e tij dhe është i sigurt se e dëshiron transferimin në Real Madrid, raporton Marca.
Problemi i tij i vetëm është se drejtuesit e Manchester Unitedit nuk dëshirojnë ta lejojnë largimin e futbollistit për të cilin paguan 114 milionë euro në vitin 2016.
Sado që koha e tij nën drejtimin e Jose Mourinhon nuk ishte e suksesshme, 26-vjecari është përmirësuar dukshëm nën drejtimin e Ole Gunnar Solskjaer. Pogba është duke e dëshmuar veten tani, pjesërisht falë edhe ndihmës së Nemanja Maticit dhe Ander Herreras.
Përderisa Zinedine Zidane mund të dëshirojë ta ketë atë në skuadër, ka të tjerë në Real Madrid që kanë dyshime për këtë transferim, pasi që prioriteti i tyre është ta gjejnë një zëvendësim për Luka Modricin.
Për më tepër, është ende e paqartë se sa do të kushtonte Pogba nëse “Los Blancos” kërkojnë ta transferojnë atë gjatë afatit kalimtar të verës.
Në kontratën e francezit me “Djajtë e kuq” nuk ka klauzolë për shkëputjen e kontratës. Për këtë arsye, Real Madridi mund të detyrohet të shpenzojë një shumë rekord, pasi që Pogba u transferua në Manchester United për 114 milionë euro.
Nuk ka shumë futbollistë që mund të krahasohen me Pogbën, mirëpo Barcelona ka paguar 75 milionë euro, shumë kjo që mund të ngrihet në 86 milionë euro, për Frenkie de Jong. Mirëpo, holandezi është në një fazë plotësisht tjetër të karrierës së tij.