Kufijtë e Shqipërisë me vendet fqinjë do të patrullohen edhe nga policët evropianë të Agjencisë së Rojeve të Kufirit dhe Bregdetit.
Marrëveshja statusore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për veprimet e ndërmarra nga Agjencia e Rojës Bregdetare dhe Kufirit Evropian në Republikën e Shqipërisë ka hyrë në fuqi më 1 maj (dje), shkruan Koha Ditore.
Marrëveshja do të zbatohet vetëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, e cila do të trajtojë dhe rregullojë detyrat dhe përgjegjësitë e anëtarëve të ekipit dhe personelit të Agjencisë, privilegjet, imunitetet, përjashtimet nga tarifat doganore e të tjerë. Me hyrjen e saj në fuqi, marrëveshja do t’i mundësojë Agjencisë të sigurojë asistencë në fushën e menaxhimit të kufirit të jashtëm, si dhe do t’u mundësojë ekipeve të Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare(FRONTEX) të vendosen me shpejtësi në territorin shqiptar, në rast të ndonjë ndryshimi të papritur të flukseve migratore.
Shqipëria është një ndër vendet e para që ka finalizuar këtë marrëveshje, duke përmbushur edhe këtë kriter apo këtë kusht në rritjen dhe forcimin e menaxhimit të integruar të kufijve midis Shqipërisë dhe vendeve të BE-së.