Policët padisin Policinë e Kosovës, kërkojnë pagën e 13, pagën jubilare dhe shujtën ditore

Prishtinë | 07 Tet 2021 | 19:12 | Nga Ekonomia Online

Mijëra pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë ngritur padi ndaj institucionit ku punojnë. Ata po kërkojnë pagën jubilare, pagën e 13-të dhe shujtën ditore.

Këtë e ka konfirmuar të enjten për Gazetën Online Reporteri.net, Valbona Kamberi, Kryetare e Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Këto kërkesa sipas kryesindikalistes së Policisë u takojnë sipas udhëzimeve dhe Ligjeve në fuqi, por që asnjëherë nuk janë paguar.

Kryetarja e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Valbona Kamberi thotë se nga qeveritë e kaluara iu kishte premtuar përmbushja e këtyre kërkesave. Por një gjë e tillë, sipas saj, nuk ka ndodhur, ndaj thekson se padia në gjykatë bazohet me ligjet në fuqi.

“Sa i përket të drejtës në pagë dhe shpërblime sipas ligjeve dhe udhëzimeve që i kemi në Policinë e Kosovës, e drejta e çdo polici është që të ketë pagën jubilare, sikurse ligjet aktuale që e kanë në Kosovë, mirëpo te ne është e kundërta sepse policët tanë

shpërblehen me 25 për qind të pagës mesatare në konveritim të pagës jubilare për dhjetë vite. Kjo ka qenë një pakënaqësi sepse nuk është as sipas ligjit të Punës e cila thotë një pagë jubilare në dhjetë vite dhe në 20 vite dy paga jubilare. Gjithashtu duke e përfshirë edhe kontratën koletikve siç është e precizuar doit ë thotë në dhjetë vite punë merr një pagë. Gjersa te ne në udhëzimin administrative për marrëdhënie pune për personelin e policisë është e paraparë 25 për qind dhe kjo ka qenë një ndër ato padi që janë ushtruar për të drejtën e çdo pjesëtari të Policisë po edhe nga ana e sindikatës që të ngrenë padi për këtë çështje sepse 25 për qindëshi pavarësisht se si thotë udhëzimi administrative i joni nuk është në harmoni me ligjet e tjera”, tha për Gazetën Online Reporteri.net, Valbona Kamberi, kryetare e Sindikatës së Policisë.

Kamberi ka treguar se rreth 3 mijë policë të cilët janë pjesë e Sindikatës i kanë bërë paditë e tyre. Por tha se ka informacione se edhe një numër i madh i tyre i kanë bërë paditë në mënyrë individuale.

“E drejta e tyre ka qene edhe individuale por edhe kolektive. Në anën tjetër edhe Sindikata ka shpreh gatishmëri dhe në aspektin kolektiv kemi dërguar rreth 3 mijë aplikacione deri më tani, presim nga ta që ta sjellin vendimin real dhe korrekt sa i përket këtyre shtresave”, është shprehur Kamberi.

Kryesindikalistja e Policisë shprehet se kjo çështje do të ishte mirë që të zgjidhet me dialog. Ajo tha se për paditë janë të njoftuar edhe menaxhmenti i Policisë por edhe ministri i Punëve të Brendshme.

“Ne në momentin kur e kemi ngritur padinë, kur kemi angazhuar avokat për ngritjen e padisë kemi biseduar me Policinë e Kosovës dhe kemi kërkuar mundësinë e negocimit sa i përket kësaj padie, mirëpo meqë Policia nuk është pudhënëdhës por punëmarrës. E kemi paraqitur edhe këtë shqetësim të padisë edhe te ministri i Punëve të Brendshme, i cili është në dijeni mirëpo nuk kemi hasur në dialog se si ta zgjidhim këtë çështje. Megjithatë ne jemi duke bërë përpjekje që kjo çështje të zgjidhet me dialog dhe të mos vije puna deri te vendimet përfundimtare të gjykatave që të bllokohen edhe llogaritë bankare që të ju jepet mundësia përmbaruesve”, shtoi ajo në bisedën me Gazetën Online Reporteri.net.

Kamberi shpreson se e drejta e policëve të Kosovës do të realizohet.

“Nuk kemi asnjë informacion rreth rrjedhave, ne jemi në kontakt me avokatët, presim që ndoshta kjo çështje të zgjidhet me dialog në mënyrë që ata pjesëtarë që kanë ngritur padi të iu kompensohet e drejta e tyre”, tha Kamberi.

Këto shtesa sipas të parës së Sindikatës së Policisë kërkohen për vitin 2018, 2019 e 2020.

Ajo tregon se sipas inflamacioneve që ka Sindikata vetëm një polic e ka fituar rastin.
“Sipas informatave ka edhe polic që kanë shkuar edhe në mënyrë individuale mirëpo deri më tani vetëm një rast ka marrë vendim të plotfuqishëm sa i përket të drejtës”, potencoi Kamberi.

Kamberi ka thënë se aktualisht nuk janë duke zhvilluar negociata për këtë çështje.

“Momentalisht nuk jemi duke zhvilluar negociata as me Policinë as me ministrin nuk kemi asnjë takim me ministrin Sveçla, mirëpo jemi në kontakt të vazhdueshëm me avokatët tanë që kjo çështje të realizohet në marrëveshje”, tregoi ajo.
Numri një i sindikatës së Policisë ka treguar se kjo sindikatë për realizmin e kësaj të drejte ka angazhuar tre avokatë.

“Ne për momentin kemi tre avokatë që po ballafaqohet më këto çështje. Ne kemi tentuar që të gjitha taksat që i përket pagesa dhe përfaqësimi i avokatëve të jetë falas.”, u shpreh Kamberi.

Ajo thotë se më e mira do të ishte një marrëveshje për shkak se një numër kaq i madh i lëndëve do të bllokonin Gjykatat e Kosovës.

“Do të ishte bllokadë totale nëse shkojmë me tre mijë padi. E mira kjo do të ishte të arrijmë një marrëveshje jo vetëm për anëtarët e sindikatës por edhe për rata që kanë shkuar në mënyrë individuale”, u shpreh kryesidnikalistja për Reporteri.net.

Këto kërkesa të policisë bazohen në Udhëzimin Administrativ nr 02/2018 Mbi marrëdhënien e punës në Policinë e Kosovës.

Sipas këtij udhëzimi në nenin 29 te drejta në pagë dhe e shpërblimit thuhet se paga bazë, shtesat për rrezikshmërinë në punë, puna jashtë orarit, gjatë festave, shujtë ditore, veshmbathje (për zyrtarët policorë) dhe sigurim shëndetësor për personelin e Policisë duhet të jetë në përputhje me vendin e punës, gradën, kualifikimin dhe përvojën e punës, duke u mbështetur në Ligjin për Policinë, sistemin e pagave dhe shtesave në Polici.

Te pika dy e këtij neni thuhet se Personeli i Policisë të cilët kanë marrë vlerësim të kënaqshëm dhe të cilët nuk kanë qenë subjekt i shqiptimit të ndonjë mase disiplinore brenda vitit përkatës, do të përfitojnë si shpërblim një pagë mujore ekuivalente me pagën e rregullt mujore në fund të vitit.

Po ashtu sipas këtij udhëzimi personeli policor që është në marrëdhënie të vazhdueshme pune në Policinë e Kosovës iu takon shpërblimi në vlerë prej 25% të pagës mesatare në Policinë e Kosovës pas çdo dhjetë (10) vite pune (paga jubilare).

Kujtojmë që Policia e Kosovës numëron mbi 9 mijë punëtorë përfshirë stafin e uniformuar dhe atë civil.

Të ngjashme