Zyrtari i Policisë së Kosovës, Artur Mrasori, do të dërgohet në Turqi për shërim. Ai mori lëndime të rënda në sy, si pasojë e një shpërthimi gjatë ditës së martë, teksa po merrte pjesë në një aksion bastisjeje në Zhur.
Lajmin se Mrasori do të dërgohet në Turqi për shërim të mëtejmë e ka konfirmuar drejtori i Shërbimit Klinik dhe Spitalit të Kosovës, Basri Sejdiu.
“Po, mund të ju konfirmojmë se me konselciumin dhe në koordinim me Fondin për Trajtim jashtë institucioneve publike kemi rekomanduar që Mrasorin ta dërgojmë në Turqi për trajtim të mëtejmë”, shkruan Express.
Sejdiu, po ashtu, ka bërë të ditur se edhe aeroplani për dërgimin e Mrasorit për trajtim të mëtejmë në Turqi është gjetur.
Artur Mrasori u lëndua rëndë mbrëmjen e së martës gjatë një aksioni të policisë në fshatin Zhur të Prizrenit. Në këtë aksion, nga eksplozivi mbeti i vdekur pjesëtari i Policisë së Kosovës, Sami Thaçi, ndërkaq përveç Arturit, edhe dy zyrtarë të tjerë të policisë mbetën të lënduar.
Të gatshëm për shërimin e Mrasorit janë shprehur edhe KFOR-i italian.