Katër roje të pyjeve janë arrestuar pas një aksioni të Policisë në Pejë. Për dy prej tyre është kërkuar masa e paraburgimit, ndërsa dy të tjerë janë ende në mbajtje. Rojet e pyjeve sipas Prokurorisë kanë lejuar prerjen ilegale të pyjeve.
Policia e Kosovës në Pejë ka arrestuar katër roje të pyjeve në Bjeshkët e Nemuna, pasi që këta të fundit kanë lejuar prerjen ilegale te pyjeve.
Për dy prej tyre, është kërkuar masë e paraburgimit, e dy të tjerët janë ende në mbajtje.
“Janë arrestuar katër pylltarë të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”. Të njëjtit me vendim të prokurorit janë ndaluar fillimisht 48 orë. Po ashtu Prokuroria ka kërkuar nga gjykata dhe kemi marrë konfirmimin se gjykata për dy nga ta ka kërkuar masën e arrestit shtëpiak”, tha për RTV Dukagjinin, Shkodran Nikqi.
Për këtë fenomen, shoqëria civile konsideron se shkatërrimi i pyjeve po bëhet në mënyrë institucionale. Ata thonë se disa herë kanë lajmëruar rastin në polici.
“Ne kemi potencuar se nuk janë në pyetje vetëm prerjet ilegale por edhe dëmtimet institucionale me letra apo përmes aferave korruptive. Kohëve të fundit ka pasur një rënie të dëmtimeve të pyjeve, por dyshimet tona tash janë se me dhënien e lejeve për nxemje mund të dalin afera tjera korruptive”, deklaroi Adem Lushaj.
Në anën tjetër Fatmir Morina, Drejtori i Parkut Nacional, “Bjeshkët e Nemuna”, ka thënë se kjo është hera e parë që arrestohen zyrtarë të kësaj drejtorie për keqpërdorim te detyrës zyrtare.
Arrestimi i tyre është bërë pas pas një aksioni të policisë.