Policia e Kosovës në bashkëpunim me DEA-n amerikane arreston dhjetë persona të dyshuar (në të dyja vendet), si dhe konfiskon armë dhe prova tjera materiale.
Pas hetimeve të zhvilluara për një periudhë tremujore, Policia e Kosovës, Divizioni Kundër Krimit të Organizuar, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në bashkëpunim me DEA-n amerikane ka realizuar tri operacione policore.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me zyrtarët amerikanë në mënyrë paralele në të dyja vendet.
“Dy operacione janë realizuar në Republikën e Kosovës (rajoni i Pejës) dhe një në New York. Në mbështetje të realizimit të operacioneve kanë qenë pjesëmarrës: Drejtoria e Njësive Speciale, Drejtoria për Mbështetje të Hetimeve, Drejtoria e Forenzikës dhe njësi të tjera policore të PK-së në koordinim me Prokurorinë Speciale dhe gjykatën kompetente”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Operacioni i parë është realizuar me 18 qershor 2017 rreth orës 18:30, ndërsa operacioni i dytë është realizuar me 27 qershor 2017 rreth orës 19:45 në Klinë. Operacionet kanë rezultuar me arrestimin e katër (4) personave në Kosovë dhe gjashtë personave në New York si dhe janë konfiskuar armë dhe prova të tjera materiale”, theksohet më tej në komunikatë.
Personat e arrestuar në Kosovë janë:
A. K. lindur me 1988 m/sh/k
M. D. lindur me 1987 m/sh/k
D. P. lindur me 1994 m/sh/k
D. M. lindur me 1989 m/sh/k
Armët dhe dëshmitë tjera të konfiskuara janë:
15 armë automatike AK-47
120 fishekë, 7.62 mm
1 anti-tank (zolla)
1 pistoletë
1 pushkë ajrore
63000 € ( gjashtëdhjetë e tremijë euro)
2 vetura
4 telefona celuarë
Me urdhër të prokurorisë kompetente personat e dyshuar janë dërguar në qendrën e mbajtjes për procedura të mëtejme ligjore.