Policia e Kosovës e pakënaqur me Projektligjin për Pagat, duan pagesë për rrezikshmërinë e jetës

Prishtinë | 16 Nën 2022 | 13:07 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës është shprehur e pakënaqur me Projektligjin për Pagat në Kosovë. 

Në projektligj, sipas Policisë, nuk është përfshirë aspak nivelizimi i pagave, duke filluar nga koeficienti më i ulët 2 deri në koeficientin më të lartë që shkon deri 14.5.

Po ashtu, sipas Policisë në rritje të koeficientit në pagë nuk është marrë përvoja e punës, përgatitja profesionale, ndarja në departamente që kanë punonjësit rrezikshmëri të lartë.

Një prej shqetësimeve më të mëdha të Policisë mbetet pagesa për rrezikshmërinë. Në projektligj thuhet se “shtesa për kushte specifike të punës përfitohet nga zyrtarët publikë dhe të punësuarit e tjerë që janë të ekspozuar ndaj rrezikshmërisë në vendin e punës ose kanë kushte specifike të punës të cilat ua rrezikojnë shëndetin”, ndërkohë Policia po kërkon që t’i shtohet edhe fjala “rrezikojnë jetën”.

“Kjo shtesë nënkupton shtesën e rrezikshmërisë, e cila është e aplikueshme edhe për personelin policor. Në kuadër të paragrafit 1 të nenit 26 është përcaktuar se “Shtesa për kushte specifike të punës përfitohet nga zyrtarët publikë dhe të punësuarit e tjerë që janë të ekspozuar ndaj rrezikshmërisë në vendin e punës ose kanë kushte specifike të punës të cilat ua rrezikojnë shëndetin”. Në bazë të kësaj siç është shkruar mund të interpretohet se kjo shtesë ka të bëjë vetëm me rrezikim të shëndetit dhe jo edhe të jetës. Prandaj, propozojmë plotësimin e këtij paragrafi, duke i shtuar edhe fjalën rrezikojnë jetën”. Paragrafi do të dukej kështu: “Shtesa për kushte specifike të punës përfitohet nga zyrtarët publikë dhe të punësuarit e tjerë që janë të ekspozuar ndaj rrezikshmërisë në vendin e punës ose kanë kushte specifike të punës të cilat ua rrezikojnë jetën dhe shëndetin”, thuhet në komentet e Policisë për këtë projektligj, shkruan Demokracia.com.

Po ashtu, shqetësim tjetër i Policisë është mospërcaktimi i vlerës së fondit për rrezikshmëri, i cili sipas këtyre komenteve në raport me pagën shkakton paqartësi të vlerës së rrezikshmërisë së grupit dhe klasave të caktuara.

“Paragrafi 2 i nenit 26 përcakton vlerën e shtesës, e cila nuk mund të jetë më e lartë se 1% e fondeve totale të përdoruar nga organizata buxhetore. Në këtë rast nuk është përdorur një teknikë uniforme e hartimit të dispozitave sa i përket përcaktimit të lartësisë së shtesave. Në shumë raste është përdorur si metodologji përcaktimi i lartësisë së shtesës mbi pagën bazë e në këtë rast në totalin e buxhetit të organizatës. Mospërcaktimi i vlerës së fondit për rrezikshmëri në raport me pagën shkakton paqartësi të vlerës së rrezikshmërisë së grupit dhe klasave të caktuara. Për informacionin tuaj, sipas kalkulimeve sot në PK për rrezikshmëri ndahen 15,663,777.60 mil euro apo shprehur në % diku 19% e totalit të buxhetit të Policisë (totali aktual i buxhetit të PK-së për Paga në PK është 81,115,922.00 mil Euro). Në kuadër të projektligjit për paga është paraparë 1% e buxhetit të shtetit që përafërsisht nëse shikohet në % me shtesat aktuale del se është më e vogël për 50% nga shuma aktuale (sipas kalkulimit të totalit të buxhetit të shtetit, i cili është këtë vit për paga). Për më shumë, projektligji aktual nuk tregon qartë se në çfarë përqindje do të ketë të drejtë për shtesa të rrezikshmërisë Policia e Kosovës. Kjo shkakton një pasiguri juridike në raport më këtë shtesë”, thuhet në komentet e Policisë.

Për më shumë, kjo shumë prej 1% është paraparë për të gjitha institucionet dhe nuk dihet së në çfarë përqindje do të ndahet për Policinë.

“Konsiderojmë se kufizimi i shfrytëzimit të këtyre fondeve buxhetore për pagesën e kësaj shtese në 1% të fondeve totale të përdorura nga organizata buxhetore siç është paraparë në projektligj, tek Policia e Kosovës bënë të pamundur pagesën e shtesës për zyrtarët policorë të gjitha nivele në proporcion me rrezikun që i ekspozohen personeli policor. Me këtë rast, Policia nuk ka mundësi të ndarjeve të brendshme sipas kategorive”, është një koment tjetër nga Policia.

Policia e Kosovës ka propozuar që rrezikshmëria tu paguhet sa 40 për qind e pagës bazë, shkruan Demokracia.com.

“Konsiderojmë se kufizimi i shfrytëzimit të këtyre fondeve buxhetore për pagesën e kësaj shtese në 1% të fondeve totale të përdorura nga organizata buxhetore siç është paraparë në projektligj, tek Policia e Kosovës bënë të pamundur pagesën e shtesës për zyrtarët policorë të gjitha nivelet në proporcion me rrezikun që i ekspozohen personelit policor. Me këtë rast, Policia nuk ka mundësi të ndarjeve të brendshme sipas kategorive të rrezikut kjo për faktin se ne konsiderojmë se për të pasur një rangim adekuat në Polici sa i përket rrezikshmërisë duhet të kemi një ndarje në shtatë (7) nivele të rrezikut dhe më një përqindje të tillë kjo ndarje mund të jetë vetëm simbolike dhe jo shpërblim real dhe motivuese për zyrtarët të cilët kanë një shkallë më të lartë të rrezikut respektivisht do të jetë de motivuese për zyrtarët të punojnë në njësie ku kemi një rrezikshmëri më të lartë apo ekstreme në raport me njësitet tjera. Përfundimisht sa i përket këtij neni, ne mendojmë se kjo duhet të caktohet me % fikse sikundër është caktuar në shumë shtesa tjera. Prandaj propozojmë që kjo të jetë deri në 40% të pagës bazë”.

Gjithashtu, ata kanë shfaqur pakënaqësi edhe për kompensimin për kujdestari, punën gjatë natës dhe jashtë orarit të punës.

“Në kuadër të nenit 36 janë paraparë rastet kur zyrtarët përfitojnë kompensim në vlerë monetare apo me pushim për punën me kujdestari, punën gjatë natës dhe jashtë orarit të punës, punën në fundjavë si dhe punën në ditët e festave zyrtare. Për më shumë, në paragrafin 4 të nenit 36 është paraparë kufizimi i vlerës totale të kompensimit për punën shtesë nga orari i rregullt. Kjo shumë nuk mund të jetë më e lartë se 1% e fondeve totale të përdorura nga organizata buxhetore në kategorinë e shpenzimeve “Paga dhe Shtesa” të atij viti fiskal. Një formulim i tillë i dispozitës, e cila parasheh kompensim me përqindje deri 1 % ose pushim, siç e ka paraparë paragrafi 2, i këtij projektligji paraqet vështirësi në zbatim në Policinë e Kosovës. Kjo për faktin se në bazë të analizës sonë janë disa njësi të cilat për shkaqe operacionale kanë gjithherë angazhim më shumë sesa mundësia e Policisë për t’i kompozuar me shtesë në pagën bazë apo kompensim me pushim, sepse shumat e tilla tejkalohen disa herë. Për më shumë për shkak të numrit të kufizuar në ato njësi edhe kompensimi me ditë pushimi është i vështirë për shkak të nevojave që ka Policia për personel në detyrë në shumicën e këtyre njësive që kryesisht janë njësi të specializuara”, thuhet në komentet e Policisë së Kosovës.

Nga përllogaritjet në kuadër të buxhetit aktual të Policisë së Kosovës, pjesëmarrja e kompensimit (puna jashtë orarit, ndërrimet e natës dhe kompensimet tjera) në Polici në kuadër të një viti shprehur në vlerë monetare është 10,166,844.45 mil euro apo në përqindje 12.53% e vlerës së buxhetit të Policisë.

“Në bazë të kësaj del se shumica e kompensimeve në Polici në bazë të projektligjit do të duhej të bëhet me kompensim me pushim dhe për shkak të angazhimeve operacionale, siç u tha me lartë në disa situata është shumë e vështirë për tu realizuar. Nëse e zbërthejmë më shumë nga përqindja e shprehur më lartë, fondi i ndarë për punë jashtë orarit aktualisht është me 6.87% të buxhetit të PK-së; pjesëmarrja në pagesat e ndërrimit të natës është 2.01% e buxhetit total të PK-së, prandaj ne propozojmë të fshihet paragrafi 2 i këtij projektligji, i cili paraqet kufizim të kompensimit vetëm në përqindje prej 1% të fondeve totale të organizatës buxhetore”, është vërejtja tjetër e Policisë.

Policia konsideron, po ashtu, se vlerësimi i klasës dhe Koeficientit të Policisë për tu siguruar trajtimi i barabartë dhe i drejtë duhet të shikohet në raport me ato institucione ku është e mundur krahasimi siç janë Institucionet e Zbatimit të Ligjit, Drejtësisë dhe ato të Sigurisë.

“Nëse krahasohet nivelet e koeficienteve në raport me këto institucione vërehet një trajtim sipas vlerësimit tonë jo i drejtë, prandaj edhe mendojmë se duhet plotësohen dhe ndryshohen në këtë aspekt koeficientet për personelin policor. Nga këndvështrimi i natyrës së punës dhe kushteve të punës, konsiderojmë se Policia është e rëndësishme të rangohet drejtë për aq sa është e mundur në raport me institucionet e tjera. Trajtim ndryshe vërehet në raport me Institucionet e Drejtësisë (Gjykatën dhe Prokurorinë); Forcën e Sigurisë, IPK, Doganën, etj. Në këtë kontekst vërehet një dallim tepër i madh shembull: në raport me Prokurorinë e Shtetit ku janë tetë (8) pozita në kuadër të Prokurorisë të ranguara më lartë se pozita më e lartë në Polici, ajo e Drejtorit të Përgjithshëm dhe 6 pozita në sektorin gjyqësor, për çka ne konsiderojmë se nuk është trajtim i drejtë. Në aspektin e pozitave specifike të veçanta, dallimi është shumë i madh në rastin e krahasimit të zyrtarëve policorë me pozitat e prokurorëve; me pozitat e hetuesit në IPK-së, zyrtarëve të doganës, ekspert në prokurori, etj. Saktësisht zyrtarët policorë kryejnë edhe detyra të hetuesit, madje hetime shumë më komplekse sesa në institucionet tjera si dhe ka zyrtar policor në cilësi të ekspertit të cilët kryejnë gjithashtu ekspertiza për Prokurorinë. Pozitat e tilla në Policia në disa fusha janë edhe më komplekse shembull: pozitat e hetuesit në krime kibernetike; hetuesit të krimit të organizuar; hetuesit të krimit ekomomik dhe korrupsionit; zyrtar policor i inteligjencës; hetuesit e veprave të terrorizimit; zyrtari policor si agjent i mbuluar; trajtues i informatorëve, zyrtari policor ekspert financiar, etj. Zyrtari Policor- Polic i lartë, i cili mund të jetë hetues në bazë të projektligjit të propozuar ka koeficientin 5.1, gjersa hetuesi në IPK (inspektor me autorizime policore) ka koeficientin 7.2 apo zyrtari doganor i nivelit të katërt ka koeficientin 9”, është një tjetër vërejtje.

Policia ka propozuar në kuadër të përcaktimit të koeficientit të bëhet një harmonizim në mes të gradave në dy institucionet, atë të Policisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe pas kësaj korrigjimi i dallimit të koeficientit të rreshterit në raport me togerin.

Policia e ka vërejtur se në draftligjin për pagat në sektorin publik është vërejtur se koeficienti 5.1 si hetues (me gradën polic i lartë) në Departamentin e Hetimeve – Policia e Kosovës, është shumë më i vogël në raport me hetuesit e Doganës se Kosovës të cilët kanë koeficientin 7.4 dhe hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës të cilët kanë koeficientin 7.2.

“Duke marrë parasysh se shumica e hetuesve në Departamentin e Hetimeve në Policinë e Kosovës kanë gradën “Polic i lartë”, konsideroj se ky koeficient është diskriminues në raport me nivelin e njëjtë të pozitës hetues në institucionet tjera të lartcekura, dhe po ashtu duke marrë parasysh edhe punën, angazhimin, natyrën komplekse të rasteve që i hetojmë dhe profilin e personave të cilët i hetojmë, do të duhej që të paktën ky koeficient për hetuesit e Departamentit të Hetimeve të Policisë se Kosovës të jetë baras me atë të hetuesve të Doganës së Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës, nëse jo më i lartë”, është një vërejtje tjetër.

Ata vlerësojnë se sipas këtij projektligji, policia nuk dihet a funksionon në bazë të gradave apo në bazë të pozitave.

“Grada Major ka koeficient 8.2, Nënkolonel 9.2 dhe Kolonel 10.2 kurse nëse ndonjëra nga këto grada caktohet në pozitën e Drejtorit të Departamentit, Zv. Drejtor i Përgjithshëm apo Drejtor i Përgjithshëm, atëherë koeficienti rritet në bazë të pozitës, gjë e cila bie ndesh me sistemin e funksionimit të Policisë i cili bazohet në grada, në këtë rast ka efekte diskriminuese duke pasur parasysh se, i gjithë sistemi policor funksionon me paga të njëjta në bazë të gradës, ku nëse një Oficer Policor i caktuar në Hetime Qendrore të Korrupsionit apo ekuivalente është i barabartë me koeficient me një Oficer Policie i caktuar në një pikë statike vetëm se e ka të njëjtën gradë. Duke e pasur parasysh se, sipas këtij projektligji paska mundësi të koeficientit në pozita e jo sipas gradave, atëherë do të ishte e rrugës që, pozitat e hetueseve qendror të ndahen nga grada dhe të mos krahasohen me gradën e njëjtë të oficerëve që në disa raste ndoshta për një vit nuk ju kërkohet që të shkruajnë të paktën një raport apo të ndërmarrin ndonjë veprim tjetër, përpos që të paraqiten në punë”, është komenti tjetër. 

Të ngjashme