Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të përdorimit të armës së zjarrit dhe armëmbajtjes pa leje në fshatin Begrac të Kaçanikut, ku është ndaluar një person i dyshuar 75-vjeçar.
Sipas komunikatës, më 19 maj 2026, rreth orës 15:20, stacioni policor në Kaçanik ka pranuar një ankesë se në fshatin Begrac ishte dëgjuar një krismë arme zjarri.
“Pas daljes në vendin e ngjarjes është vërejtur një vrimë në kornizën e dritares dhe një tjetër në murin e jashtëm të shtëpisë së një banori”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka bërë të ditur se, në konsultim me prokurorin e shtetit, fillimisht është iniciuar shënim zyrtar dhe në vendin e ngjarjes janë angazhuar hetuesit dhe krimteknikët rajonalë.
“Gjatë hetimeve të njësive policore në terren është dëgjuar edhe një tjetër e shtënë në një distancë të afërt. Pas reagimit të shpejtë, është identifikuar dhe ndaluar një person i dyshuar A.G. (75 vjeç), i cili kishte në posedim një armë zjarri (pushkë të gjuetisë), një gëzhojë të përdorur, si dhe një fishek”, thuhet më tej në komunikatë.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Kaçanik për intervistim, ndërsa arma dhe municioni janë sekuestruar si prova materiale.
Me vendim të prokurorit të rastit, ndaj tij janë iniciuar rastet për veprat penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje e armës pa leje”.