Policia Rajonale e Pejës ka dhënë detaje rreth foshnjës së braktisur, e cila u gjet sot në mëngjes nga imami i fshatit Vrellë, Arben Dreshaj.
Zyrtari për informim në Policinë e Pejës, Driton Rugova, tha për Kallxo.com se sot rreth orës 5:20 kanë marrë informatë për një foshnje të braktisur para derës së xhamisë në fshatin Vrellë.
“Patrullat dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe sipas mjekut kujdestar foshnja është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nga ekipi mjekësor është sjellë në QKMF në Istog”, theksoi Rugova.
Sipas zëdhënësit të Policisë, lidhur me këtë rast është njoftuar edhe prokurori kujdestar dhe Qendra për Punë Sociale.