Në kuadër të operacionit “Summer 2017”, policia ka sekuestruar 12 automjete luksoze dhe 5 motomjete të dyshuara të trafikuara dhe ka proceduar penalisht 17 shtetas.
“Në kuadër të prioriteteve të Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, një tjetër operacion është organizuar dhe zhvilluar për bllokimin e automjeteve motorike të trafikuara në Republikën e Shqipërisë nga vendet e BE-së”, njofton Policia e Shqipërisë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 12 automjete luksoze dhe 5 motomjete të dyshuara të trafikuara dhe të falsifikuar numrin e sasisë.
Mjetet e bllokuara janë të markave të ndryshme: Mercedes Benz- E Class, Mercedes Benz- S Class, Mercedes Benz- ML, Audi- A8, BMW- X5, BMW-X6, BMW – X6, BMW- X6, Range Rover- Sport, Range Rover- Sport, Range Rover- evoque, Toyota- Avensis, Yamaha- T-Max, Yamaha – T-Max, Suzuki- GSXR 750, Aprilia- Scarabeo dhe Aprilia- Scarabeo.
Këto mjete, dyshohet të jenë trafikuar nga vendet e BE-së në Republikën e Shqipërisë. Në vijim të veprimeve janë proceduar penalisht 17 shtetas për “Trafikim të mjeteve motorike”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, parashikuar nga Neni 141/a i Kodit Penal.