Policia e Tiranës arreston ish-punonjësin e SHISH, në 2014 vrau një 33 vjeçar (Video)

Prishtinë | 23 Nën 2021 | 13:11 | Nga Ekonomia Online

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Reagimi”, ku si rezultat është arrestuar një 51-vjeçar, të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 10 vite burgim për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se personi i arrestuar është Xhevahir Mzhika, 51 vjeç, banues në Tiranë.

“Mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar ‘Reagimi’, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim Xhevahir Mzhika, 51 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas u kap në rrugën “Babë Rexha”, anës lumit, dhe në momentin e ndërhyrjes së Policisë ka tentuar të largohet, por është neutralizuar nga shërbimet e Policisë”, njofton policia.

Kush është Xhevahir Mzhika?

51-vjeçari, ish-punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) është autori i ngjarjes së ndodhur më datë 16.08.2014, tek isha Fusha e Aviacionit, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 33-vjeçari Florian Selmani.

Në vitin 2014, ditën kur ndodhi vrasja, Xhevair Mzhika, sipas hetimeve, i është drejtuar vëllezërve Selmani, pronar të një gomisterie tek ish-Fusha e Aviacionit në Tiranë për të rregulluar një probleme që kishte tek goma e automjetit të tij.

Në vijim mësohet se Mzhika është konfliktuar me vëllezërit Selmani dhe debati ka degjeneruar në përleshje fizike. Sipas hetimeve rezulton se Mzhika pas përleshjes është nisur menjëherë drejt banesës së tij, ka marrë armën dhe më tej ka goditur me dy plumba të riun.

I plagosuri Florian Selmani ka mbetur fillimisht i plagosur dhe më pas është nisur menjëherë drejt spitalit, por rrugës ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra./tch/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme