Policia identifikon sulmuesit e vajzës në Pejë, por jo edhe kalimtarët

Pejë | 28 Dhj 2017 | 17:17 | Nga

Një grup prej pesë fëmijëve mbrëmjen e së martës i kishin zënë priten një vajze të re, duke e rrahur deri në alivanosje. Të miturit menjëherë pas aktit kanë arritur që të ikin nga vendi i ngjarjes. Express mëson se policia një ditë pas, ka arritur që t’i identifikojë të miturit, ndërkohë që viktima (vajza e re), ende nuk është identifikuar. Zyrtarët e hetuesisë presin që ajo vetë të paraqitet në stacionin policor në Pejë.

Një video e publikuar të mërkurën ku shihen disa të mitur duke e rrahur me grushte dhe me shqelma një vajzë të re, ka nxitur reagime të shumta në opinion. Vajza derisa ishte duke hyrë në një dyqan është sulmuar fizikisht nga pesë fëmijë deri në alivanosje. Në momentin kritik, vajzën kishin refuzuar ta ndihmonin edhe disa kalimtarë të rastit, derisa e njëjta gjendej e shtrirë në tokë si pasojë e goditjeve.

Lidhur me këtë çështje, hetimet tashmë kanë nisur nga ana e policisë dhe prokurorisë së shtetit duke bërë kështu identifikimin e sulmuesve, por jo edhe të kalimtarëve të cilët refuzuan ta ndihmonin atë. Zyrtarë nga policia e Kosovës për rajonin e Pejës i kanë thënë të enjten Gazetës Express se janë duke i vazhduar hetimet lidhur me këtë punë.

Komandanti i Policisë në Regjionin e Pejës, Xhevat Ibraj, ka deklaruar se viktima ende nuk është identifikuar. Ai thotë se hetimet janë duke vazhduar, ndërkohë që presin që vajza të paraqitet vetë në polici dhe ta raportojë rastin.

“Policia e Pejës është duke e hetuar këtë rast, është duke e kërkuar viktimën dhe kryerësit e kësaj vepre. Rasti nuk ka qenë i hapur fare në Polici, pasi nuk është raportuar nga askush”, ka thënë Ibraj.

Edhe zyrtarë nga Prokuroria Themelore në Pejë thonë se janë duke punuar për zbardhjen e rastit. Për këtë punë si prova janë kamerat e sigurisë. Kështu deklaroi të enjten për Express zëdhënësi në Prokurorinë e Pejës, Ersan Qavolli.

“Prokuroria po punon për zbardhjen e këtij rasti. Viktima ende nuk është identifikuar”, thotë Qavolli.

Kalimtarët nuk e ndihmojnë viktimën, rrezikojnë burgim

Në kohën kur vajza sulmohej nga të miturit, pranë saj kalonin disa qytetarë të cilët nuk u ndalën që asaj t’i ofronin ndihmë.

Në pamjet e kamerave të një lokali që qarkullojnë nëpër rrjete sociale, shihet një çift i cili gjendet pak metra larg vajzës së shtrirë. Në videon njëminutëshe kalimtarët refuzojnë të ndalen që ta ndihmojnë atë. E, këta kalimtarë po ashtu do të mund të rrezikohen me burgim deri në një vit.

Kështu thuhet në kodin Penal të Kosovës, sipas nenit 191 të të cilit “…kushdo që nuk i ofron ndihmë personit jeta e të cilit ndodhet në rrezik të drejtpërdrejtë, edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madh për veten apo tjetrin, dënohet me burgim deri në një (1) vit.

Rast i ngjashëm kur kalimtarët nuk i kanë ofruan ndihmë viktimës ka ndodhur edhe në muajin korrik të këtij viti, kur një i moshuar ra në gjendje shoku në rrugë duke vdekur pak minuta më pas, ndërkohë që asnjë prej kalimtarëve nuk i kishte ofruar ndihmë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme