Policia e Kosovës ka arrestuar një gjyqtar pasi dyshohet se ka kërkuar gjashtëmijë euro, në lidhje me çështjen penale të përmbyllur me aktgjykim kohë më parë.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, gjegjësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka pranuar informacione nga viktima, që ka pasqyruar abuzimin e funksioneve gjyqësore, veprime që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, si dhe imazhin e sistemit gjyqësor.
Policia thotë se gjatë procesit të hetimit preliminar janë ndërmarrë masat adekuate për të identifikuar formën e aplikuar më parë të korrupsionit nga i inkriminuari.
Në koordinim me Prokurorinë Speciale janë aplikuar praktikat e njohura nga Kodi i Procedurës Penale, duke u mbështetur fuqishëm në një hetim profesional të bazuar në dëshmi.
“Gjatë aplikimit të masave hetimore kemi siguruar dyshimin e bazuar se i inkriminuari ka kërkuar realizimin e ofertës, në atë mënyrë që i njëjti kërkon/pranon përfitimin material, (kohë më parë dyshohet se janë dorëzuar nga viktima dhe janë pranuar nga i dyshuari i lartshënuar katër mijë euro, në mënyrë të drejtpërdrejtë, në mënyrë që mos të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në cilësinë e gjyqtarit. Gjatë operacionit policor, të zhvilluar me datën 19 shtator 2019, i inkriminuari ka kërkuar/pranuar shumën prej dymijë eurove, për të përmbyllur ofertën e precizuar në proces për të finalizuar shumën prej gjashtëmijë eurove, në lidhje me lëndën/çështjen penale të përmbyllur me aktgjykim kohë më parë. Pas arrestimit i dyshuari është kontrolluar në prezencën e avokatit mbrojtës, në zyrën e NJRHKEK-së Pejë, me ç’rast i janë gjetur në xhep paratë dymijë euro, të cilat janë përdorur për aplikimin e masës së fshehtë ‘simulim i veprës së korrupsionit’”, thuhet në komunikatë.
Me aprovim verbal të prokurorit, është kontrolluar banesa e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe janë sekuestruar një armë zjarri, tipi Zaza-min, kalibër 8mm, një karikator dhe dhjetë fishekë të kalibrit 8mm, dhjetëmijë euro, shkresa, aktgjykime dhe proces verbale gjyqësore
Me urdhër të prokurorit special, i dyshuari është ndaluar në qendër të mbajtjes për 48 orë.