Policia jep detaje për plagosjen në Rahovec, dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje

Prishtinë | 20 Sht 2023 | 09:15 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës (PK) njofton se dy persona kanë pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit, ndërsa lidhur me rastin dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje.

Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të martën, rreth orës 16:45, në Rahovec.

“Nga QKMF Rahovec është dhënë informata se dy persona te gjinisë mashkullore kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve trupore nga arma e zjarrit. Të njëjtit pas tretmanit mjekësor janë dërguar për në Spitalin Rajonal në Gjakovë, ku njëri është prej tyre është përcjell për në QKUK-së. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore si dhe prokurori kujdestar ku kanë hasur në disa gëzhoja të armës së zjarrit, dy telefona të dorës si dhe kanë vërejtur njolla gjaku. Në stacionin policor janë paraqitur dy të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët kanë qenë të përfshirë në rast”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, njëri i dyshuari ka deklaruar se pas një fjalosje me viktimat e kishte përdorur armën.

“Është kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit dhe gjatë kontrollimit janë gjetur dhe janë konfiskuar: dy pistoleta, njëra dyshohet se është përdorur në rast, dy pushkë gjuetie, një pushkë ajrore dhe një pushkë M-48, 31-copë fishekë te kal.7.62 mm,19 copë fishekë te kal.9 mm dhe 132 copë fishekë te kal.12 mm. Për të gjitha armët e lartcekura, i dyshuari posedonte leje”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Të ngjashme