Policia konfirmon kërcënimin e deputetit Fisnik Ismaili, jep detaje

Prishtinë | 29 Jan 2018 | 22:42 | Nga

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka konfirmuar rastin e kërcënimit të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fisnik Ismaili.

Kelani ka treguar për Periskopin, që kanë pranuar një informatë që rreth orës 19:52 ka ndodhur një rast i kanosjes në rrugën “Ali Kelmendi” në Prishtinë, dhe menjëherë pas marrjes së informatës kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë takuar deputetin Ismaili.

“Mund të konfirmojmë që me datën 29.01.2018 rreth orës 19:52 është pranuar informata për një rast kanosje të ndodhur në rr. “Ali Kelmendi, në Prishtinë. Njësia policore menjëherë ka shkuar në atë lokacion dhe ka takuar palën ankuese”, ka deklaruar Kelani.

Ai ka treguar se pala e kërcënuar ka thënë se ka pranuar një mesazh kërcënues dhe se ndihet i kanosur.

“Pala ankuese ka deklaruar se ka pranuar mesazhe/foto kërcënuese dhe ndihet i kanosur”, ka thënë Kelani.

Kelani ka potencuar se Policia e Kosovës lidhur me rastin ka angazhuar të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

“Policia ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore lidhur me rastin. Vlen të potencohet se në atë lokacion janë angazhuar edhe hetuesia dhe forenzika për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, ka përfunduar Kelani.

Periskopi ka kontaktuar edhe deputetin Ismaili lidhur me rastin. Ai ka thënë se do të prononcohet më vone pasi gjendet në polici.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme