Policia ndërpret përkohësisht xhirimet e klipit të Lipës

Prishtinë | 17 Tet 2020 | 08:50 | Nga Ekonomia Online

Policia londineze ka ndërprerë xhirimet e klipit më të fundit të këngëtares Dua Lipa, si pasojë e thyerjes së disa rregullave të reja për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

E përditshmja “The Sun” ka shkruar se Lipa, e shoqëruar nga një grup i madh i ekipit të produksionit, kishte zbarkuar në Shoreditch të Londrës Lindore për xhirimet, për të xhiruar në një rrugicë të qytetit.

Mirëpo një pjesë e ekipit gjatë xhirimeve ishte mbledhur në numër të madh, për ta nxitur policinë që të reagojë, transmeton KOHA.

“Dua dhe shoqëruesit e saj po i shijonin në maksimum xhirimet, por për ata që jetonin përreth tyre, xhirimet ishin një makth”, ka thënë një qytetar, i cili foli për gazetën. “Dukej sikur njerëzit në xhirime po thyenin rregullat dhe distancimi shoqëror ishte plotësisht i përjashtuar”, shtoi më tej ai, duke shtuar se kishte përreth shumë valltarë.

Fotografitë e publikuara nga mediat angleze kanë shfaqur pamjet edhe të momentit, kur vetura e policisë ka arritur në sheshxhirim.

Këngëtarja kosovare me nam botëror ka pasur një vit të suksesshëm në karrierë, pasi gjatë muajit mars publikoi albumin “Future Nostalgia”, për këngët e të cilit ishte duke i realizuar klipet.

Të ngjashme