Policia në rajonin e Mitrovicës së Veriut patrullon me vetura inteligjente

Prishtinë | 20 Nën 2024 | 14:34 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka patrulluar me vetura inteligjente në katër komunat veriore, raporton Ekonomia Online.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare në Facebook, nga Policia bëhet e ditur se njësitet policore janë përkujdesur në lirimin e hapësirave publike (rrugë e trotuare) nga parkingjet e parregullta, me qëllim mundësimin e lirë dhe të papenguar të automjeteve dhe këmbësorëve.

“Policia, në kuadër të aktiviteteve të rregullta në ofrimin e sigurisë në trafik, identifikimin e kundërvajtësve si dhe parandalimin e aksidenteve, ka ndërmarrë veprime policore ndër të cilat edhe përdorimin e automjeteve inteligjente, të cilat ndihmojnë në identifikimin më të lehtë të kundërvajtësve. Automjetet inteligjente mundësojnë që edhe gjatë patrullimit-lëvizjes, përveç tejkalimit të shpejtësisë, të identifikojnë edhe kundërvajtje të tjera të ndryshme. Njësitë policore në katër komunat veriore janë përkujdesur në lirimin e hapësirave publike (rrugë dhe trotuare) nga parkingjet e parregullta, me qëllim mundësimin e lirë dhe të papenguar të automjeteve dhe këmbësorëve”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, theksohet se Policia është përkujdesur në vazhdimësi në ofrimin e sigurisë pranë shkollave, me qëllim që nxënësit të jenë më të sigurt gjatë shkuarjes dhe kthimit nga shkolla.

Me qëllim parandalimin e aksidenteve në trafikut rrugor, Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri apelon tek të gjithë ngasësit që të respektojnë dispozitat ligjore në trafik, të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe të respektojnë në vazhdimësi rregullat në trafik.

Të ngjashme