Policia nis hetimet për helmimin masiv në Peshkopi

Prishtinë | 08 Qer 2017 | 18:15 | Nga

Policia e Dibrës ka nisur hetimet, pasi më shumë se 100 persona janë helmuar në qytetin e Peshkopisë. Përmes një njoftimi për mediet, policia kanë bërë me dije se kanë marrë informacion për shumë persona të helmuar të cilët kanë mbërritur me urgjencë në Spitalin Rajonal të Peshkopisë me simptoma të helmimit.

“Menjëherë pas informacionit të marrë, Policia ka ngritur grupin hetimor dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Spitalit Peshkopi, kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun nga se ka ardhur helmimi i këtyre shtetasve”, thuhet në njoftimin policor. Rreth 100 persona, të rritur dhe fëmijë janë paraqitur në spitalin e Peshkopisë me simptoma të helmimit.

Një fakt i tillë u konfirmua nga drejtori i Spitalit të Peshkopisë Beqir Bici në një intervistë telefonike për Ora News. Ai thotë se kjo situatë ka vijuar nga e hëna dhe një pjesë e pacientëve pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë larguar. Plot 18 të helmuar janë fëmijë të moshës nën 16 vjeç. Drejtori i spitalit thotë se aktualisht janë të shtruar 35 persona dhe se është njoftuar policia lidhur me ngjarjen.

Situata e helmimit bëhet enigmatike pasi numri i madh personash nga lagje të ndryshme të qytetit e periferisë kanë paraqitur simptomat e helmimit për tre ditë rresht. Mësohet se një pjesë e fëmijëve janë nxënës të klasës së 6-të të shkollës “Selim Alliu” të cilët u helmuan teksa ishin në një ditëlindje, shkruan shekulli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme