Policia e Kosovës ka ndërmarr një aksion të shkatërrimit të armëve të vogla dhe të lehta.
Zëvendës ministri brendshëm në detyrë, Behar Selimi ka thënë se ky aktivitet simbolik po ndërmerret për të shënuar 9 korrikun – Ditën Ndërkombëtare të Shkatërrimit të Armëve, njofton Klan Kosova.
Ai ka lutur qytetarët që t’i dorëzojnë armët pa leje. Selimi ka shtuar se policia është ajo që kujdeset për sigurinë e qytetarëve.
Valbona Bogujevci nga UNDP ka falënderuar Ministrinë e Jashtme të Norvegjisë dhe Gjermanisë për kontributin e dhënë në realizimin e aktivitetit të shkatërrimit të armëve.
Ajo ka thënë se sipas të dhënave që kanë numri i armëve ilegale në Kosovë është më i vogël.
“Nga mbi 350 mijë armë sa i posedonin më 2003, tash qytetarët e Kosovës posedojnë mbi 200 mijë armë”, ka thënë Bogujevci.
Ajo ka thënë më tej se inkurajon institucionet e Kosovës për rezultatet e arritura.
Më tej, Katerina Lopo, nga EULEX ka thënë se ekzistojnë grupe të armatosura që mund të nxisin konflikte ndëretnike e që mund të cenojnë sigurinë në Kosovë.
“Puna hetimore e policisë dhe prokurorisë në konfiskimin e këtyre armëve dhe shkatërrimin e tyre është për tu përgëzuar”, ka shtuar ajo.
Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Naim Rexha më tej ka thënë se vendi është bashkuar simbolikisht në Ditën Ndërkombëtare të Shkatërrimit të Armëve.
“Policia e Kosovës ka ngritur struktura analitike për posedim të armëve të vogla”, ka shtuar Rexha.
“Kjo ngjarje paraqet një rëndësi të veçantë për sigurimin dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit”, ka përfunduar ai.