Policia e Shkodrës dhe banorët e zonës u vijnë në ndihmë turistëve anglezë në zonën turistike malore të Thethit.
Tre turistë anglezë, të cilët ishin duke eksploruar zonat turistike malore të Thethit, mbrëmjen e djeshme kanë humbur komunikimin mes tyre në zonën e quajtur Qafë-Thore dhe kanë kërkuar ndihmën e Policisë.
Shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me banorët e zonës, janë vënë në kërkim të turistëve dhe pas disa orë kërkimesh, tre turistët anglezë u gjetën në kushte të mira shëndetësore dhe momentalisht gjenden në fshatin Bogë, ku janë strehuar në bujtinë.
Policia e Shkodrës gjen rastin të falënderojë banorët e zonës, për sensibilizimin, angazhimin dhe humanizmin e treguar në disa raste të ngjashme gjatë muajve të fundit, ku së bashku u kanë ardhur në ndihmë turistëve që janë gjetur në vështirësi, për shkak të humbjes së rrugës apo kontakteve.