Dy ushtarë të FSK-së nga komuniteti serb janë ndaluar dje për disa orë nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Jarinje.
Lajmin e ka bërë të ditur Ibrahim Shala, zëdhënës për media në Ministrinë e Mbrojtjes.
“Këtë të dy ushtarë nga komuniteti serb janë ndaluar nga policia serbe dhe të njëjtit janë liruar menjëherë”, ka thënë Shala për klankosova.tv.
Ndaj, ndalimit të pjesëtarëve të FSK-së, ka reaguar Zëvendësministri në detyrë i Mbrojtjes, Burim Ramadani.
Përmes një postimi në Facebook ka thënë se Serbia po e vazhdon presionin ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së.
Ramadani ka kërkuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare të reagojë ndaj këtyre sjelljeve të Beogradit.
Postimi i plotë i Ramadanit:
“Serbia vazhdon presionin ndaj pjesëtarëve serb të FSK-së, në një logjikë krejtësisht jonormale, jonjerëzore dhe jokonstruktive. Duke i ndalur me orë të tëra dhe liruar më pas, ky presion është krejtësisht pa kuptim.
Nuk ka asnjë qëllim që mund të arrihet përmes këtyre veprimeve. E vetmja gjë që dëshmohet është që asgjë nuk ka ndryshuar, është i njëjti mentalitet.
Serbia po dëmton serbët e Kosovës. Sepse, Kosovën nuk mund ta ndalë si të tillë, por vetëm maltreton serbët e këtushëm.
Partnerët ndërkombëtarë nuk duhet të heshtin”, ka shkruar Ramadani.