Policia e Kosovës nga sot ka themeluar “TASK FORCËN” për parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor.
Ky veprim është ndërmarrë me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë, parandalimin e aksidenteve të trafikut dhe zbatimin e ligjshmërisë në funksion të menaxhimit dhe kontrollit të trafikut rrugor dhe për shkakë të situatës shqetësuse gjatë kësaj periudhe lidhur me aksidentet në trafik dhe pasojat e tyre në shkaktimin e humbjes së jetëve njerëzore, marrë për bazë shtimin e numrit të automjeteve, duke përfshirë edhe pjesmarrësit tjerë në trafik të të gjitha kategorive.
Qëllimi kryesor i kësaj TASK FORCE është që përmes komandës dhe kontrollit të ndikohet direkt në parandalimin e aksidenteve të trafikut rrugor, duke angazhuar sa më shumë personel policor nga niveli qendror dhe ai lokal, duke përfshirë edhe stafin udhëheqës të Policisë, thuhet në komunikatë.
Plani veprues dhe parandalues i kësaj ”TASK FORCE” parasheh përfshirjen, koordinimin dhe bashërendimin e njësiteve të ndryshme në terren, në pika kontrolli, akse rrugore, si dhe aplikimin e metodave të ndryshme të avancuara nga njësitet policore, për arritjen e parandalimit të aksidenteve në tërësi e në veçanti të atyre me pasoja fatale. Gjithashtu, për të arritur dinamikën e ndikimit tek shoferët pjesmarrës në trafik do të aplikohet “ZERO tolerancë ndaj të gjithë kundërvajtësve”.
Njëkohësisht Policia e Kosovës kërkon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e posaçërisht te drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë rregullat që dalin nga Ligji i trafikut rrugor, të respektojnë shenjat e trafikut, t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe në veçanti t’i përmbahen shpejtësisë së lejuar.