Policia vazhdon bashkëpunimin me INTERPOL-in përmes UNMIK-ut

Prishtinë | 15 Gus 2016 | 12:25 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Edhe pse kanë kaluar më shumë se tetë vjet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, marrëdhëniet e Policisë së Kosovës me INTERPOL-in vazhdojnë të menaxhohen përmes UNMIK-ut.

Andaj, bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me Interpolin përmes UNMIKUT ballafaqohet me vështirësi të cilat kryesisht janë të natyrës procedurale, por edhe politike.

Kështu është thënë në tryezën e rrumbullakët “Monitorimi i Sektorit të Sigurisë së Kosovës: 15 mars – 15 korrik 2016”, të organizuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED).

Lulzim Peci, drejtor ekzekutiv i KIPRED-it, ka thënë se edhe përkundër faktit që Kosova i ka ndërtuar kapacitetet e nevojshme për të qenë anëtare e INTERPOL-it, nuk ka pasur përparim në anëtarësimin e saj në këtë organizatë, ndërkohë që tensionet politike ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe UNMIK-ut sa i përket madhësisë dhe rolit të këtij të fundit në Kosovë janë në rritje.

Sipas tij, marrëdhëniet operacionale të Njësisë Koordinuese për Zbatimin e Ligjit ndërkombëtar (ILECU) brenda Policisë së Kosovës me institucionet ndërkombëtare të zbatimit të ligjit ndërkombëtarë siç janë INTERPOL-i, EUROPOL-i, FRONTEX-i, nuk janë të njëjta me vendet e tjera të rajonit, meqë komunikimi dhe operimi bashkë me këto organizata zhvillohen direkt.

Ndërsa në rastin e Kosovës komunikimi zhvillohet përmes Zyrës së Interpolit në UNMIK, EULEX si dhe të atasheut policor të Italisë në Kosovë, i cili është në bashkëpunim me EUROPOL-in. Ai ka shtuar se bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me Interpolin përmes UNMIKUT ballafaqohet me vështirësi të cilat kryesisht janë të natyrës procedurale, por edhe politike”.

“Zyra e Interpolit në UNMIK edhe pse me statut juridik të identitetit ndërkombëtarë, këtë status e gëzon në kuadër të Interpolit në një mënyrë e luan rolin e byrosë qendrore nacionale, ndërkohë që policia e Kosovës në realitet funksionon si një agjenci e super-koordinuar në komunikime dhe operacionalitetin midis Prishtinës dhe selisë së Interpolit në Vjenë”.

“Një prej elementeve kyçe që perceptohet si vështirësi dhe burim i mos besimit në policinë e Kosovës në raport me Zyrën e Interpolit të UNMIK-ut është fakti që kjo zyrë nga themelimi i vet është udhëhequr nga zyrtarë policorë nga Rusia dhe Ukraina, këto vende të cilat edhe nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Peci.

Numri i katërt i vëllimit të parë të Observerit të Sektorit të Sigurisë së Kosovës (OSSK) trajton çështjet kyçe të sektorit të punëve të brendshme, të inteligjencës dhe të Forcave të Sigurisë, që e kanë mbizotëruar debatin publik dhe mbikëqyrjen parlamentare të këtyre sektorëve gjatë periudhës 15 mars – 15 korrik 2016.

Ndërsa, sipas publikimit “Observeri i Sektorit të Sigurisë së Kosovës” ka dalë se krahasimi i muajit maj-nëntor të vitit 2015, shkurt dhe maj 2016, lidhur me besimin e përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka një rritje besimi në krahasim me muajin shkurt të vitit 2016. Ndërkaq Policia e Kosovës e ruan trendin e njëjtë të besimit të qytetarëve.

Po ashtu, rritje të besimit në krahasim me muajin shkurt 2016 ka shënuar edhe Komisioni Parlamentar për siguri, Punë të Brendshme dhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Megjithatë, Policia e Kosovës e gëzon besimin më të lartë nga këto dy institucione.

KIPRED 1

Të ngjashme