Një oficer policie në Indinë veriore është vrarë derisa po mundohej ta qetësonte një grup banditësh të zemëruar për shkak të raporteve se lopët, që konsiderohen të shenjta prej hindusve, po masakrohen në rrethinën e tyre.
Gazetari hindus i BBC-së, Nitin Srivastava, raporton nga Bulandshahr në shtetin e Utar Pradeshit, ku edhe ka ndodhur incidenti, transmeton “Koha Ditore”.
Rasti kishte ndodhur diku kah ora dhjetë e paradites të hënën kur inspektori Subodh Kumar Singh rrinte ulur në makinën e tij zyrtare dhe i kërkoi shoferit “të fluturonte” me makinë. Shoferi Ram Asrey i dha makinës me krejt fuqinë e mundshme të motorit.
Singh, 47 vjeç, ishte në krye të stacionit policor në Siyana, fshat në rrethinën e Bulandshahrit. Ai kishte pranuar atë mëngjes një thirrje telefonike me të cilën i kërkohej të shkonte në stacionin policor të fshatit tjetër, Chigravati, nja pesë kilometra larg, ku ishte mbledhur një grup i zemëruar njerëzish.
Ndikimi politik
Ata ankoheshin se kishin gjetur atë mëngjes eshtra kafshësh nëpër fushat e fshatit. Ata kishin vendosur një traktor me rimorkio midis rrugës – të mbushur me cofëtina – jo fort larg prej stacionit policor të fshatit.
Lopët, të cilat konsiderohen të shenjta nga pjesa më e madhe e popullsisë hinduse, janë bërë shkas për një debat të zjarrtë në Indi në vitet e fundit.