“Politico” shkruan për deklarimet e gjyqtarit të EULEX-it, Malcolm Simmons

Prishtinë | 17 Nën 2017 | 08:42 | Nga

Mediat ndërkombëtare kanë shkruar për dorëheqjen dhe deklarimet shokuese të ish-kryetarit të Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, i cili, pos tjerash, deklaroi se EULEX-i për motive politike kishte për qëllim eliminimin nga skena politike të Fatmir Limajt.

Një hapësirë të madhe këtij lajmi i ka kushtuar edhe Politico.eu, ku shkruhet për deklarimet e britanikut Simmons në gazetën franceze “Le Monde”.

Dorëheqja e zotit, Malcolm Simmons, dhe denoncimi i tij për korrupsion brenda EULEX-it, ka bërë një jehonë të madhe në qarqet politike dhe mediale të BE-së.

Sidomos deklarata e tij se “EULEX-i nuk është një mision që ka për qëllim të promovojë një shtet të së drejtës, por është mision politik. Kush mendon ndryshe ai është ose naiv ose i marrë” tronditi themelet e një misioni aq të ndjeshëm në këtë pjesë të Ballkanit.

Për ta ilustruar pohimin e tij se ky mision vepron në bazë të vendimeve politike e jo parimeve të së drejtës, si do të duhej të ishte, ish Kryetari i Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons sjell shembullin e Fatmir Limajt.

Zoti Malcolm Simmons deklaron se “EULEX-i dëshironte ta eliminonte një pjesë të klasës politike, siç është rasti i Fatmir Limajt (Ish-Komandant i gueriles shqiptare të UÇK-së dhe Kryetar i NISMA për Kosovën, parti opozitare e Presidentit Hashim Thaçi) i akuzuar për krime lufte.

“Kam qenë kryetar i gjyqit në këtë proces në vitin 2013 dhe shumë shpejtë e kuptova se misioni i EULEX-it dëshironte t’i nxjerrë pengesa atij në rrugë kur afroheshin zgjedhjet. Kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it të asaj kohe, Charles Smith, më tha që misioni dëshironte që z.Limaj të dënohet. Ai bëri presion ndaj meje, presion që e mora si kërcënim personal. Këtë çështje ia përcolla ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar, por mendoj se qeveria britanike nuk dëshironte ta njolloste imazhin e misionit. Kjo mënyrë veprimi u përdor edhe në dosjet tjera. Në vazhdimësi ka persona që qëndrojnë mbi gjyqtarët”.

Krahas kësaj britaniku Malcolm Simmons denoncon këtë institucion se është i korruptuar dhe në kundërshtim me parimet e së drejtës. Ai dorëheqjen e vet e arsyeton se nuk ka gjetur mbështetjen e duhur në Bruksel për t’i luftuar dukuritë negative që karakterizojnë EULEX-in.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme