Politico: Si e tërhoqi një Lituani e vogël BE-në në përballjen e saj me Kinën

Prishtinë | 08 Tet 2021 | 17:24 | Nga Ekonomia Online

Përballja diplomatike midis Lituanisë dhe ekonomisë së dytë më të madhe në botë filloi me vetëm një fjalë.

Në gusht, Vilnius autorizoi kërkesën e Tajvanit për të krijuar një zyrë përfaqësuese “Tajvaneze” në vend. Përdorimi i atij emri ofendoi Pekinin, i cili këmbëngul se ishulli është pjesë e Kinës dhe preferon që emri “Taipei” të përdoret në vend të këtij emërimi.

Grindja u përshkallëzua shpejt. Megjithëse Vilnius theksoi se masa nuk pasqyronte një sfidë për politikën e Pekinit “Një Kinë”, vendimi, i pari i këtij lloji në Evropë, u pa nga shumë njerëz si një hap i parë potencial drejt njohjes përfundimtare të Tajvanit si një vend i veçantë.

Kina tërhoqi ambasadorin e saj, një formë proteste diplomatike që nuk e ka përdorur prej vitesh, dhe këmbënguli që Lituania të tërhiqte të dërguarin e saj. Shërbimet e trenave të mallrave që lidhin Vilniusin nën “Rripin Kinez” dhe “Iniciativën e Rrugës”, u pezulluan; bashkë me to u pezulluan edhe licencat e reja për të cilat eksportuesit lituanezë të ushqimit kishin aplikuar. Pritjet fillestare që Lituania mund të bëhej një destinacion i rëndësishëm i BE-së për investitorët kinezë të teknologjisë së ulët, u shuan.

“Është si ajo thënia klasike kineze: vrite pulën që të trembet majmuni”, tha një diplomat i lartë i BE-së në Kinë, duke kërkuar anonimitet pasi nuk ishte i autorizuar të komentonte publikisht. “Pekini po dërgon një mesazh se kushdo që ndjek shembullin e Lituanisë, duke guxuar t’i rezistojë, do të përballet me pasoja të rënda. Një mesazh i tillë testohet më së miri në një vend më të vogël.”

Pekini tani po shikon nëse majmuni-Bashkimi Evropian-do të mbajë anën e pulës ose të kasapit të saj.

Në rendin e ditës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë ka mbështetur Vilniusin; muajin e kaluar, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, nënvizoi “mbështetjen e madhe të SHBA-së për Lituaninë përballë përpjekjeve kërcënuese nga Republika Popullore e Kinës”, pas një takimi në DC me homologun e tij lituanez.
BE-ja, deri më tani, ka qenë më e paqartë. Në dialogun e tij të fundit strategjik me ministrin e Jashtëm kinez, WËang Yi, shefi i politikës së Jashtme i BE-së, Josep Borrell, mbrojti Lituaninë, por gjithashtu u përpoq të siguronte Pekinin se BE-ja nuk po vinte në dyshim politikën e saj “Një Kinë”.
“BE-ja dhe shtetet anëtare të saj kanë interes të zhvillojnë bashkëpunim me Tajvanin, një partner ekonomik i rëndësishëm në rajon, pa asnjë njohje të shtetësisë,” i tha ai Wang-ut.

Të martën, 27 udhëheqësit e BE-së u mblodhën për një darkë ku u diskutua mbi marrëdhëniet BE-Kinë, në të cilën presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, u bëri thirrje atyre që të dërgojnë një mesazh “uniteti” përballë Kinës. Darka përfundoi me atë që Borrelli e quajti si “një debat shumë interesant”.

“Ekziston një bipolaritet i madh midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në njërën anë, dhe në anën tjetër ka një multipolaritet të aktorëve,” tha ai. “Dhe evropianët duhet të veprojnë; evropianët duhet të krijojnë një kulturë të përbashkët strategjike për të ndarë sfidat me të cilat po përballen.”
Ndërsa busulla strategjike e BE -së është ende duke u hartuar, një gjë është e qartë: Në përballjen me Pekinin, Lituania-vend me 2.8 milionë banorë, e ka shtyrë çështjen e Tajvanit dhe marrëdhëniet me Kinën në agjendën e BE-së në atë mënyrë që udhëheqësit në Pekin dhe shumë kryeqytete evropiane i janë shmangur prej vitesh.

Dhe, të paktën për momentin, Vilniusi nuk tregon shenja të tërheqjes.

Lituania këmbëngul se nuk e kishte ndërmend ta shqetësonte Pekinin. Disa zyrtarë të nivelit të lartë lituanezë thanë se do të donin të ulnin tensionin, porse asnjë shenjë përafrimi nuk duket në horizont. Përkundrazi, një delegacion tregtar i udhëhequr nga Qeveria tajvaneze do të vizitojë së shpejti Lituaninë, Republikën Çeke dhe Sllovakinë.

“Zgjidhja e kësaj situate varet nga të dyja palët. Ne jemi gati të flasim, por nuk do të jemi gati të rishqyrtojmë vendimin tonë,” tha Nauseda në një intervistë për Politico. “Ka shumë zyra përfaqësuese në Bashkimin Evropian, të cilat u krijuan nga Tajvani në 20-25 vitet e fundit. Dhe Lituania nuk bëri asgjë të veçantë në këtë drejtim”.

Asgjë për të humbur

Lituania nuk është vendi i parë i BE-së që hyn në një ngatërresë diplomatike me Pekinin, por është e pazakontë, sepse nuk humb gjë nga përplasja.

Vendet si Franca dhe Gjermania kanë lidhje të rëndësishme biznesi me Kinën, duke e bërë të vështirë për udhëheqësit e tyre të mbajnë qëndrime kritike, madje edhe për çështje të tilla si akuzat për gjenocid dhe punë të detyruar në rajonin e perëndimit të Kinës, Xinjiang. Qeveritë e tjera, si Greqia ose Hungaria, varen nga investimet kineze.

Kur në vitin 2013 një gjykatë spanjolle urdhëroi urdhër arreste ndërkombëtare për pesë zyrtarë të lartë komunistë në pension për krime kundër njerëzimit në Tibet, Madridi, i vetëdijshëm se një sërë obligimesh të mëdha qeveritare ishin në duart e kinezëve, u zhvendos shpejt në ‘ujërat e qeta’. Kohët e fundit, Suedia ka ngurruar të përshkallëzojë një mosmarrëveshje mbi të drejtat e njeriut në nivelin e BE-së, kur Gui Minhai, një librashitës suedez-kinez që botoi tituj kritikë ndaj Partisë Komuniste (dhe presidentit kinez Xi Jinping personalisht), u burgos për 10 vjet.

Përkundrazi, Lituania ka pak lidhje biznesi me Kinën. “A mund të besoni se ne kemi investuar 10 herë më shumë në Kinë sesa Kina në Lituani?”, tha një zyrtar i lartë në Vilnius, duke folur në kushte anonimiteti. Ka nja “tre milionë euro investime kineze në këtë vend, vetëm tre milionë nga Kina. Kompanitë tona investuan gati 40 milionë euro në Kinë,” tha ai, duke shtuar se: “Kina e madhe është e vogël.”

Liri për të kritikuar

Lituania-një vend, identiteti i së cilës pas Luftës së Ftohtë është rrotulluar rreth luftës kundër komunizmit dhe autoritarizmit, rrallë është shmangur nga përdorimi i lirisë së saj për të kritikuar.

Vytautas Landsbergis, një udhëheqës i Lëvizjes së Pavarësisë, kishte një marrëdhënie të ftohtë me Pekinin. Gjatë një vizite në vitin 2000 në Sallën e Madhe të Popullit, Landsbergis, atëherë kryetar i parlamentit të Lituanisë, filloi një bisedë të hapur për Tibetin dhe të drejtat e njeriut.

Pritësi i tij, Li Peng, një ish-kryeministër kinez dhe më pas kryetar i Komitetit të Përhershëm të Kongresit Kombëtar Popullor, nuk ishte i kënaqur. “Li Peng nuk hëngri ëmbëlsirën e tij dhe u largua,” tha një person që mori pjesë në darkë në kushte anonimiteti. “Të gjithë duhej të ngriheshin dhe të largoheshin pas tij, gjithashtu.”

Disa muaj më vonë, Li ndërpreu një vizitë të planifikuar dyditore në Lituani pasi zbuloi se parlamenti lituanez po mbante një takim ndërkombëtar mbi krimet e komunizmit. Delegacioni kinez u largua pas vetëm disa orësh, pasi u takua me disa zyrtarë, përfshirë Landsbergis, por nuk u largua kurrë nga aeroporti.

Vetëm gjysmë viti gjatë qëndrimit të tij të parë ministror, ​​Landsbergis deklaroi në një intervistë për Politico se Lituania do të tërhiqej nga platforma diplomatike e Kinës “17+1” me Evropën Qendrore dhe Lindore.

Lituania, gjithashtu ka dhuruar vaksina COVID-19 në Tajvan, ka ofruar viza humanitare për Hong- Kongun dhe ka dhënë alarmin për rreziqet e sigurisë në lidhje me telefonat celularë, Xiaomi, të prodhuar nga Kina.

“Kina, nën Xi Jinping-un, po kthehet në revanshiste gjithnjë e më luftarake, bile autoritarizmi nuk është më një mbiemër adekuat,” tha zëvendësministri i Jashtëm i Lituanisë, Mantas Adomenas, për Politico.

Është koha, tha ai, që BE-ja të lëvizë përtej politikave mbrojtëse tregtare kundër Kinës. “Wandel durch Handel, formula gjermane e ndryshimit përmes tregtisë, nuk funksionon,” shtoi ai.

Ministrja e Ekonomisë, Ausrine Armonaite, kryetare e Partisë Liberale së Lirisë, është veçanërisht e etur për të zhvilluar lidhjet me Tajvanin. Në një vizitë në Uashington muajin e kaluar, ajo u takua me ambasadorin tajvanez, Hsiao Bi-kim, një i besuar i ngushtë i presidentes Tsai Ing-wen.

Do të varet nga Armonaite të emërojë të dërguarin e ardhshëm të lartë të vendit në Tajvan, pasi pozicioni nuk do të jetë një post diplomatik, i cili për Pekinin është në të vërtetë më i butë se aranzhimi i BE-së ose i Britanisë së Madhe, ku të dërguarit e tyre të lartë në Taipei janë vërtet diplomatë.

Ndërkohë, presidenti i Lituanisë, Nauseda, vazhdon të ushtrojë presion ndaj homologëve të tij në BE që të bashkohen me të në paraqitjen e një fronti të përbashkët kundër Pekinit. Ai ka sugjeruar në mënyrë të përsëritur mbajtjen e një takimi “27+1” me Xi, një ide e mbrojtur dikur nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, para se vendi i saj të dilte nga binarët nga pandemia dhe një përkeqësimi të marrëdhënieve BE-Kinë mbi sanksionet e të drejtave të njeriut. Për Nausedan, ndërsa është krejt normale që secili udhëheqës të merret në mënyrë dypalëshe me Kinën, është e rëndësishme edhe të mbahet mend fuqia kolektive gjeopolitike e BE -së.

Të ngjashme