Politika e Serbisë po ushqen radikalizmin në rajon

Prishtinë | 02 Tet 2016 | 12:00 | Nga Bahri Bivolaku

Radikalizmi në Ballkan qoftë ai etnik, fetar a social e ushqen shteti i Serbisë jo me fjalët e liderëve politik, por me veprimet e tyre me shumë prirje për ta shikuar të kaluarën mitike e dominuese që u ngjasojnë ideve fashiste.

Në vitin 1977, ish-presidenti amerikan, Ronald Reagan, bënte shaka duke e konsideruar se politika supozohet të jetë profesioni i dytë më i vjetër në botë, madje “Kam arritur ta kuptoj se ka mjaft ngjashmëri me profesionin e parë në botë”, thoshte Reagan. (*Marrë nga libri Ide Politike – Oford 2010 të autorit Ben Dupre).

Gjykuar nga prizmi i një shqiptari nga Kosova për mënyrën se si po i çasen ndërkombëtarët politikës në Ballkanin Perëndimor, atëherë vërtetë shakaja e Reaganit nuk mund të konsiderohet vetëm si shaka. Shteti i Serbisë në këtë rajon vazhdon të shihet si më kryesori, e madje edhe ai që duhet ledhatuar vazhdimisht për të ecur në rrugën e integrimeve europiane, pasi sipas tyre ka një konsolidim të demokracisë, i cili prodhon stabilitet në rajon. Lideri i tyre Aleksandër Vuçiç, madje u duartrokit fortë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pas një fjalimi të tij me porositë politike të një engjulli, porse në esencë veprimet i ka të djallit.

Serbia në këto vite në rajon, asnjëherë nuk prodhon koncepte politike për ruajtje të stabilitetit rajonal për të cilat lavdërohet nga ndërkombëtarët, e madje edhe favorizohet. Pikërisht Serbia dhe lideri i tyre është destabilizuesi më i madh në regjion. Në kohën e këtij lideri u bënë lëvizjet politike populiste në Bosnje, duke shfrytëzuar komunitetin serb atje siç po tentohet e njëjta gjë të bëhet edhe në shtetin e Malit të Zi, e veçanërisht në Kosovë përmes krijesës politike të “Lista Srpska” dhe zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Konsideroj se radikalizmin në këtë regjion, qoftë ai etnik, fetar apo social e ushqen pikërisht shteti i Serbisë jo me fjalët e liderëve të tyre, por me veprimet me shumë prirje për ta shikuar të kaluarën mitike që u ngjasojnë ideve fashiste.
Diplomacia e Kosovës bashkë me atë të Shqipërisë dhe Malit të Zi duhet të jenë më të angazhuar dhe të themelojnë një strategji të qartë për demaskimin e kësaj politike që po krijohet në Beograd karshi faktorit ndërkombëtar, ndryshe stabiliteti do të mundoj në regjion dhe lëvizjet radikale gjithsesi do të fuqizohen si kundërpërgjigje e veprimeve të shtetit të Serbisë.

Mendimtarët thonë: “Koha ka dy duar; me njërën dorë përmbysë, me tjetrën ndërton”. Serbia me asnjë dorë nuk po ndërton në Ballkan, përkundrazi ajo me dy duart po e shfrytëzon kohën për ta rrënuar Ballkanin. Ajo vetëm me gojë është duke punuar e me dorë po rrënon gjithçka. Duke qenë e lazdruar paksa nga ndërkombëtarët si pasojë e shfrytëzimit maksimal të gjeopolitikës, ajo me veprimet e veta politike është duke ngjallur elementet radikale. Konsideroj se fillet e grupimeve a qëndrimeve radikale në Kosovë por dhe rajon, zanafillën e kanë si revansh të politikës në Beograd, por edhe vonesës së të kuptuarit të kësaj gjëje në Europë.

Një i ri, shqiptar i Kosovës nuk mund ta kuptoj assesi qëndrimin e politikës së Europës për vonesën në liberalizim të vizave, në kohën kur Serbia po bëhet gati për inkuadrim në BE dhe shohin politikën e atij shteti tejet diskriminues ndaj bashkatdhetarëve të vet në Luginën e Preshevës. Një i ri shqiptar i Kosovës e mendon gjithsesi se mos vallë ashtu duhet edhe ne në Kosovë të sillemi me pakicat apo grupet e caktuara etnike. Sheh në shtetin e Serbisë rolin e kishës ortodokse serbe dhe ndikimin e saj në jetën e çdo qytetari e mos të flasim për politikën dhe meqenëse ky shteti i tillë po avancohet në integrimet europiane, atëherë shtrohet pyetja e një të riu: “Mos vallë edhe ne nëse do të na udhëhiqte feja…”

Europës gjithsesi duhet bërë me dije se përmes favorizimeve që po i bënë Serbisë përkundër veprimeve djallëzore e hipokrite të politikës së saj, po ngjallë elementet apo grupet radikale në Ballkan.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme