“Nuk ka asgjë, asgjë në parajsë, në natyrë, në mendje apo askund tjetër që të mos përmbajë njësoj si menjëhershmërinë ashtu edhe ndërmjetësimin” – Hegel, “Science of Logic”.
Asgjë nuk e pasqyron më mirë se sa ky përkufizim, rolin që e ka Logjika te Hegeli. Çdo kalim i koncepteve në këtë disiplinë mendore, madje edhe koncepti i saj fillestar “Being” ose drejtpërdrejtëshmëria është e ndërmjetësuar.
Ndërkohë, vet “Fenomenologjia” e cila i përshkruan manifestimet e odisedave të vetëdijes, është një proces i gjatë ndërmjetësimeve, deri sa eventualisht filozofia të kompletohet në panteonin e “njohjes absolute”. E me këtë të fundit duhet kuptuar atë natyrë të koncepteve që janë në vetvete infinite, identike dhe nuk bien pre e kontradiktave te brendshme, si dhe nuk mund të trasncendohen.
Me inaugurimin e kësaj paradigme të re në te menduarit logjik, Hegeli mëtonte ta zëvendësonte modelin formal të logjikës e cila ishte e fokusuar më shumë me format e të menduarit pavarësisht nga përmbajtja, apo logjikën transcendentale kantiane, sikur se edhe atë tradicionale aristoteliane ku një entitet definohet si subjekt për shkak të predikateve dhe atributeve të “jashtme”.
Kjo edhe është arsyeja që Logjika e Hegelit qëndron në një motërzim të pashkoqshëm me Fenomenologjinë, ku subjekt tematik i kësaj te fundit mbeten format e vetëdijes (Gestalt des Bewußtseins). Kurse ky rrugëtim është rezultat proceseve sociale dhe historike. Prandaj, edhe praktikat sociale ofrojnë “material” përmbajtësor për Logjikën, e cila po ashtu merret me format e vetëdijes apo atë qe Hegeli e quan Gestalten. E këto “Gestalten” e “formësojnë unitetin normativ të mënyrës së të menduarit, e mënyres së të jetuarit, (praktikat shoqërore, institucionet publike) dhe konstelacioneve të kulturës, (gjuha, mënyrat e krijimit dhe prodhimit etj etj)”
Ky rrjetëzim kompleks i këtyre i relacioneve dëshmon për rëndësinë që e ka Logjika e Hegelit edhe për të gjykuarit politik dhe historik. Sepse pa arkitekturën e saj mbesim të të ngujuar vetëm në impresionet e momentit apo rob të iluzioneve të drejpërdrejtshmërisë së çastit.