Politikanë të liberalizuar e qytetarë të izoluar, emrat e atyre që kanë pasaporta shqiptare

Prishtinë | 01 Jan 2023 | 18:02 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Evropian po vazhdon t’i mbajë të izoluar qytetarët e Kosovës

Pavarësisht premtimeve, liberalizimi nuk ndodhi as këtë vit.

Kosovarët, sipas vendimit të fundit të shteteve anëtare të BE-së, nuk do të mund të lëvizin lirshëm deri në fillim të vitit 2024.

Por këto pengesa, nuk i kanë edhe politikanët e Kosovës.

Shteti shqiptar është ai që po iu bënë zgjidhje politikanëve të vendit tonë.

Është një numër i konsiderueshëm nga elita politike që kanë pasaportë të Shqipërisë.

Në këtë listë hyn kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Ai madje e shfrytëzon të drejtën edhe për të votuar në shtetin shqiptar.

Edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e posedon pasaportën shqiptare, pa e përjashtuar edhe ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliun, shkruan Front Online.

Nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje është edhe deputetja Mimoza Kusari-Lila.

Pasaportë të njëjtë kanë edhe ish-deputetë të kësaj partie.

Janë kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj si dhe ish-kryetari i VV-së, Visar Ymeri.

Me pasaportë të Shqipërisë janë të pajisur edhe dy ish-kryeministrat e Kosovës, lideri i AAK-së, RamushHaradinaj, dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Nga radhët e PDK-së, pasaportë shqiptare ka edhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe deputeti Mërgim Lushtaku.

E në partinë më të vjetër të Kosovës, LDK, është deputeti Arben Gashi që ka pasaportë të Shqipërisë, që e posedon nga viti 1996.

Gashi u përgjigj për Front Online duke thënë se e ka trashëgimi, pasi babai i tij ka prejardhje nga Shqipëria.

“E kam trashëgim nga babai pasi që ai ka prejardhje nga Shqipëria dhe pasaportën e kam që nga viti 1996”, ka thënë ai

Front Online ka pyetur edhe politikanët e tjerë që janë pjesë e kësaj liste e që posedojnë pasaportë shqiptare por ata nuk kanë kthyer përgjigje rreth interesimit të portalit.

Edhe lideri i Nismas, Fatmir Limaj ka në dorë pasaportën shqiptare.

Ish- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pati kërkuar nga Ilir Meta, që t’i pajisë shtetasit e Kosovës me shtetësi shqiptare si rrugë që kosovarët të dalin nga ajo që ai e quajti “izolim klasik”.

Por që më pas nuk u pranua një gjë e tillë.

Pasaporta e Republikës së Shqipërisë e cila llogaritet si e 51-ta në botë për nga pesha, megjithatë e ka një procedurë burokratike e cila zgjatë minimalisht 5 vite.

Për të qenë nënshtetas i Shqipërisë duhet t’i nënshtrohesh një sërë procedurave.

Sigurimi shëndetësor, posedimi i një prone, një kontratë punë, janë vetëm disa nga kushtet që duhet plotësuar në momentin e aplikimit.

Numri i shtetasve nga Kosova, të cilët kanë marrë leje pune në Shqipëri nga viti 2018 e deri në shtator të vitit 2021, është 622.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.

Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës – njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.

Sipas propozimit të miratuar, “hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”.

Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.Për të arritur deri këtu, Kosovës i duhet t’i kalojë edhe disa shkallë

Të ngjashme