Akademiku Rexhep Qosja ka thënë se në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeverinë e Kosovës është shtuar numri i milionerëve politikë që qajnë hallet e të varfërve, kurse në Kosovë po shtohet çdo ditë e më shumë numri i të varfërve.
Ai përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook ka theksuar që bashkë me shtimin e milionerëve politikanë po shtohet edhe numri i tër rinjve që lënë Kosovën, për të ikur në drejtim të Europës, Amerikës dhe Azisë.
Akademiku e ka cilësuar si cinizëm tragjikomik vajtimin e siç i ka quajtur “milionerëve politikë dhe shtetërore” për ikjen e rinisë nga vendi.
Postimi i Plotë:
Kosova e Re, shtet i lirë e i pavarur, por me sovranitet ende të gjymtuar, ka mjaft risi. Njëra prej këtyre risive të Kosovës së Re janë edhe milionerët e saj. Në mendjen time është krijuar pamja e dy lloj milionerëve të Kosovës së sotme: pamja e milionerit, të milionuar, domethënë të pasuruar, me djersë, me mund, me aftësi punuese e menaxhuese, në njërën anë, dhe pamja e milionerit të milionuar, të pasuruar turr, vrap, me punë politike, domethënë në sajë të pozitave politike, në të vërtetë duke shfrytëzuar e duke shpërdoruar pozitat politike e shtetërore!
Milionerët e llojit të dytë, të pasuruar në sajë të pozitave politike, janë temë çdo ditë e më e shpeshtë e bisedave, në të vërtetë ende më shpesh e pëshpëritjeve sesa e bisedave të hapëta të qytetarëve.
Dua të them disa fjalë për këtë milionerin tonë politik sjelljeharlisur, të pasuruar në mënyrë tragjikomike, në sajë të posteve politike e shtetërore!
Po i dëgjoj çdo ditë milionerët politikë duke qarë e vajtuar hallet e të varfërve.
Vajet e këtyre “humanistëve”, këtyre “shpirtmirëve “ politikë për të varfërit sot janë më të shpeshta dhe më të zëshme se para një viti!
Nuk e kuptoj plotësisht arsyen e këtij “njerëzillëku” të tyre!
Në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeverinë e Kosovës është shtuar numri i milionerëve politikë që qajnë hallet e të varfërve, kurse në Kosovë po shtohet çdo ditë e më shumë numri i të varfërve.
Në Kuvendin dhe në Qeverinë e Kosovës është shtuar numri i milionerëve politikë, që qajnë e vajtojnë hallet e të varfërve, kurse në Kosovë është shtuar numri i të rinjve e të rejave, që bëjnë çmos për të ikur prej atdheut të vet e për të gjetur shpëtim nga skamja në Evropë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada, në Australi, në Zelandë të Re, në Turqi, në Japoni apo, madje, edhe në Korenë e Jugut.
Çfarë cinizmi tragjikomik përmban ai vajtim i milionerëve politikë e shtetërorë!
Milionerët tonë politikë, të pasuruar, krijuesit e fjalëve të reja do të mund të thoshin edhe të milionuar, në sajë të pozitave politike, që u janë dhuruar gjatë votimeve vendore a të përgjithshme, kur e kur edhe vendore dhe të përgjithshme, po i vajtojnë hallet e shtuara të të varfërve jo vetëm shpesh, jo vetëm me shumëkënd, por edhe shumëkund: në mbledhje partiake, në mbledhje jopartiake, në takime e konferenca të ndryshme, në biseda me gazetarët e televizioneve e të gazetave, me vendorë e të huaj, e, sidomos, në kuvendet komunale dhe në Kuvendin e Kosovës, por numri i të varfërve po shtohet me gjithë sasinë e madhe të lotëve të milionerëve!
Çfarë ironie përmban kjo shumësi tragjikomike lotësh!
Milionerët tanë politikë po ua qajnë hallet jo vetëm të varfërve të rinj po edhe të varfërve të vjetër, kurse vaji i tyre për varfërinë e të vjetërve e të vjetrave është më i lotpaktë. E kuptueshme: e dinë se s’do të vajtojnë gjatë për varfërinë e tyre!
Milionerët tanë politikë kohëve të fundit po qajnë hallin jo vetëm të të varfërve të të gjitha moshave, po edhe të të varfërve të të gjitha gjinive – të gjinisë mashkullore e të gjinisë femërore
Sa i gjithanshëm na është bërë “njerëzillëku” i milionerëve tanë politikë!
Milionerët tanë politikë po qajnë e vajtojnë hallet e të varfërve të të gjitha gjinive dhe të të gjitha moshave më së shpeshti duke qëruar hesape politike e partiake me kundërshtarët qoftë kur janë në opozitë, qoftë kur janë në pozitë! Dhe këta të opozitës na mësojnë se numri i të varfërve është shtuar, kurse vetë varfëria është thelluar prejse kjo, pozita, e ka marrë pushtetin, ndërsa këta të pozitës na mësojnë se numri i të varfërve është shtuar e varfëria në përgjithësi është thelluar në kohën kur kjo, opozita e tashme, ishte në pushtet!
Sa mirë e njohin, “historinë” e këtyre ditëve dhe sa shumë e duan të drejtën milionerët tanë politikë të pasuruar në mënyrë komike për ta, por gjithnjë tragjikomike për shtetin e Kosovës!
Milionerët tanë politikë, të milionuar në sajë të pozitave politike e shtetërore, që kishin dhe që vazhdojnë të kenë, po qajnë hallet e të varfërve të të gjitha gjinive e të të gjitha moshave, kurse, pa shikuar djathtas a majtas, po punësojnë të vetët: familjarët e vet, shokët e vet, miqtë e vet, puthadorësit dhe puthakëmbësit e vet pa marrë parasysh sa e meritojnë atë punësim ata!
Çfarë “njerëzillëku” duçe-ist përmbajnë vajtimet e milionerëve tanë politikë për të varfërit!
Milionerët tanë politikë po e vajtojnë gjendjen e të varfërve të Kosovës, kurse pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të familjarëve, të të afërmëve dhe të miqve të tyre po shtohen gjithnjë e më shumë dhe po shtohen në sajë të posteve dhe marifeteve të milionerëve tanë politikë!
Sa demokratike është politika familjare dhe farefisnore e milionerëve tanë politikë!
Milionerët tanë politikë vazhdojnë të qajnë hallet e të varfërve tanë, numri i të cilëve sado vjen e shtohet, kurse privilegjet e ndryshme, të shumëllojshme e të gjithkohshme të milionerëve po ashtu po shtohen dhe po shtohen në përpjesëtim të drejtë me shtimin e numrit të të varfërve!
Sa shumë i duan të drejtat e punëtorëve dhe sa shumë e duan shtetin social këta milionerët tanë politikë e shtetërorë!
Milionerët tanë politikë po qajnë zëshëm, gjithnjë e më zëshëm, hallet e të varfërve tanë, kurse shkëlqesitë e tyre dhe lartmadhëritë e tyre janë gjithnjë e më të shkëlqesishme dhe më të lartmadhërishme jo vetëm në Kosovë, jo vetëm në Kosovë e në Shqipëri, jo vetëm në Kosovë e në Maqedoni, jo vetëm në Kosovë e në Luginë të Preshevës, jo vetëm në Kosovë e në Mal të Zi, por edhe në një varg shtetesh të Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Sa tragjikomikisht përshtypjebërës është ky vajtim i milionerëve tanë politikë për të varfërit!
Milionerët tanë politikë, të milionuar në sajë të pozitave politike të cilat u janë dhuruar prej votuesve e ndonjëherë janë përvetësuar pa votime, po e qajnë hallin e të varfërve në njërën anë, kurse në anën tjetër po u shtohen punët e llojeve të ndryshme jo vetëm partiake, politike e shtetërore, por edhe arsimore, shkencore, turistike, me shkuarje e ardhje të shpeshta, kombëtare e ndërkombëtare, që u sjellin rroga, honorare, mëditje, çmime, përfitime ditore e gjatëkohore, që s’harrohen!
Sa tragjikomike, ironike, cinike, më shumë tragjike sesa komike, është demagogjia e milionerëve tanë politikë!
Deri kur të varfërit e Kosovës do të durojnë lotët e krokodilta të milionerëve politikë për gjendjen e tyre të mjeruar; deri kur do të durojnë lotët e krokodilta të milionerëve politikë të cilët postet politike e shtetërore i kanë përdorur e shpërdorur e kriminalizuar për t’u bërë vrap me miliona, me toka të reja, me shtëpi e pallate, me nga tri, katër, pesë banesa, me restorante, me pompa të benzinës, me vila ne bjeshkë e në bregdet, me lokale afariste, me vetura të shtrenjta, e me prona të tjera të ndryshme ende të paemërtuara! Nuk e di! Por, e di se shpejt, më shpejt se ç’ e mendoja, po bëhemi shoqëri politike në të cilën asgjë nuk është e turpshme përpos që të jesh i varfër, i varfër, dhe për shkak të varfërisë, i shpërfillur dhe i nënçmuar prej milionerëve politikë të pasuruar, të shumëmilionuar, në sajë të pozitave politike e shtetërore zhvatëse!
E interesi i qytetarëve të Kosovës, i të gjithë shqiptarëve, kudo qofshin ata, është që Kosova sa më parë të bëhet shtet demokratik, pa autoritarizmin që e mundon shumë sot, shtet demokratik me administratë publike të papartisuar, me gjyqësor vërtet të pavarur, që, përpos të tjerash, i mbron firmat private prej reketimeve e shantazhimeve nga njerëzit e pushtetit, që, përpos të tjerash, mbron statusin e pambrojtur të punëtorëve në këto firma, që me vendimet e veta komprometon lotët e rrejshëm të milionerëve politikë për të varfërit, që merr masa ligjore ndaj të zhyturve në konflikt interesi, që merr masa ndaj abuzuesve të tenderëve. E të tjera.
Është interes i qytetarëve të Kosovës, i shqiptarëve kudo qofshin ata, që edhe Kosova, si vendet vërtet demokratike, të ketë Ligj për prejardhjen e pasurisë, në sajë të të cilit do të hulumtohet sidomos pasuria e funksionarëve të lartë shtetërorë, duke përfshirë këtu, natyrisht, edhe kryetarin dhe kryeministrin. Dhe, si shtet me korrupsion pandemik, si e kanë theksuar sa e sa herë autoritetet e BE-së, të ketë edhe prokurorin e pavarur, i cili do të hulumtojë prejardhjen e asaj pasurie të funksionarëve të lartë, të “peshqve të mëdhenj” si i quajnë të varfërit dhe ndërkombëtarët oligarkët politikë të pasuruar, të milionuar, me poste të larta politike e shtetërore duke rjepur Kosovën!
Është interes i qytetarëve të Kosovës, i shqiptarëve kudo qofshin ata, që Kosova të bëhet shtet demokratik e sovran, në të cilin nuk do të ketë poltronizëm politik e shtetëror me pasoja kombëtare: shtet në të cilin nuk do t’u bëhet e mundshme atyre që po derdhin lotë të rrejshëm për të varfërit sot, që me poltronizmin e dëshmuar në vazhdimësi, dhe duke flijuar interesa kombëtare, të përfitojnë përkrahje ndërkombëtare për të vazhduar karrierën e tyre pushtetore tragjikomike eksploatuese!
Deri atëherë intelektualët që kanë mendjen për mendim të pavarur do të duhej të jenë me të varfërit e të varfër, të varfër për të cilët nuk vajtojnë milionerët politikë!
Ashtu intelektualët do të varfëroheshin materialisht, por do të ngriteshin shpirtërisht dhe moralisht!
Dhe, këtë ngritje shpirtërore e morale do ta shquanin e do ta dëshmonin edhe më shumë po të shkruanin romane, drama, monodrama me personazhe milionerë politikë e të varfër, përmes të cilëve do të paraqiteshin gjithë kundërshtitë tragjikomike në Kosovë sot.
Edhe milionerët politikë edhe të varfërit e Kosovës e dinë, besoj, se romane, drama, monodrama e vepra të tjera mos sot nesër për ta do të shkruhen!