Njëri është kryeministër i Irlandës, tjetri regjisor francez dhe një deputet hungarez.
Por e përbashkëta e tyre është se janë bërë pjesë e disa prej figurave të shquara publike që u janë rikthyer profesioneve të tyre fillestare, për t’u angazhuar si mjekë në luftën kundër pandemisë së Coronavirusit.
Ata janë pjesë e një grupi të vogël, por në rritje të njerëzve të skenës politike, të artit dhe sportit që po e ushtrojnë përsëri profesionin e mjekut, në mënyrë që të ndihmojnë sistemet e stërngarkuara shëndetësore kudo nëpër botë.
Leo Varadkar, kryeministër i Irlandës, është shprehur i gatshëm që të punojë si mjek një herë në javë teksa vendi i tij po përballet me numrin në rritje të të infektuarve me COVID-19.
“Shumë prej familjarëve dhe miqve të tij punojnë në shërbimet shëndetësore. Donte të ofronte ndihmë, sado e vogël që është ajo”, ka thënë një zëdhënës i tij, raporton “The Guardian”.
41-vjeçari punoi si mjek në Dublin dhe u kualifikua si mjek i përgjithshëm në vitin 2010, para se të braktiste mjekësinë për t’u bërë politikan e më vonë edhe kryeministër.
Kthimi i tij në profesionin e parë e shton atë në listën e një numri të paktë të figurave publike që kanë braktisur punët e zakonshme për të punuar si infermierë e doktorë në betejën e Evropës kundër pandemisë.
Coronavirusi ka sëmurë deri më tani me mijëra mjekë dhe mijëra të tjerë e kanë të pamundur të punojnë, sepse duhet të qëndrojnë në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët apo të vetizolohen shkaku i infektimit të mundshëm. Shërbimet shëndetësore nëpër Evropë u kanë bërë thirrje praktikantëve dhe pensionistëve – të gjithë që kanë pak përvojë – që të ndihmojnë në mbushjen e boshllëkut.