​Debati për demarkacionin më 3 gusht

Prishtinë | 15 Kor 2016 | 14:19 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Seanca e radhës e Kuvendit mbahet më 4 gusht. Paraprakisht, më 3 gusht, mbahet tryezë profesionale-shkencore lidhur me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi

Kryesia e Kuvendit, e kryesuar nga Kadri Veseli, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën përcaktoi rendin e ditës për seancën plenare të Kuvendit, e cila do të mbahet më 4 gusht.

Kurse, debati do të mbahet në sallën alternative, një ditë më herët. Sipas Veselit, tryeza është e vonuar po aq sa debati në Kuvend.

“Tryeza është e vonuar gjithsesi për as sa edhe debati në Kuvendin e Kosovës për këtë çështje si do që të jetë më mirë vonë se sa kurrë. E mira është që do të ndodh dhe që do të bisedohet lirshëm, besojë që vet përkrahja e Kryesisë së Kuvendit për këtë tregon se jemi duke bërë diçka që është në interesin e qytetarëve”, tha Veseli për gazetarët, pas mbledhjes së Kryesisë.

Ai theksoi se qytetarët duhet të jenë të sigurt, pasi vendimmarrja do të jetë në interes të shtetit dhe qytetarëve. “S’kemi nevojë për t’u vonuar por as për t’u ngutur për të bërë hapa që na kthejnë mbrapa”, tha ai.

Veseli tha se procedimi në Kuvend do të jetë transparent dhe asgjë nuk do të jetë befasi, pasi do të mbahet mbledhja e kryesisë, ku Demarkacioni do të jetë në rend dite.

Edhe nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti, bëri të ditur se Kryesia ka vendosur që më 3 gusht të mbahet debati profesional-shkencor mes Komisionit Shtetëror për Demarkacion dhe grupit të njohësve profesionistë, me ç’rast pritet diskutim dhe ballafaqim faktesh për çështjen e demarkacionit Kosovë-Mali i Zi.

“Të shohim ballafaqimin e qëndrimeve të ndryshme, a do të ndikojë në formësimin e qëndrimeve të deputetëve që nuk janë deklaruar ende, a janë pro a kundër. Besoj që marrëveshja për demarkacionin tashmë është e pavlefshme dhe debati do të ndikojë tek deputetët që ende nuk janë deklaruar pro apo kundër demarkacionit”.

Kryesia2

Ndërsa, në seancën e rregullt, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor. Për herë të parë, deputetët do të shqyrtojnë Projektligjin për performancën energjetike në ndërtesa dhe atë për mbrojtjen e fëmijës. Ndërkaq, për herë të dytë, do të shqyrtohet Projektligji për kundërvajtje.

Në vazhdim, do të shqyrtohen edhe tre raporte për vitin e kaluar: raporti vjetor i Qeverisë së Republikës së Kosovës për funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në Sektorin Publik të Kosovës për vitin 2015, raporti i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2015, si dhe raporti i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje.

Kryesia vendosi që Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG për financimin e Projektit të modernizimit të shërbimeve të Kardiologjisë Invazive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, t’i dërgohet për rishqyrtim Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Para fillimit të mbledhjes së sotme, Kryesia nderoi me një minutë heshtje viktimat e sulmit të mbrëmshëm në Nicë të Francës, ndërsa nënkryetari Sabri Hamiti, njëherësh kryetar i Grupit të Miqësisë Kosovë-Francë të Kuvendit të Kosovës, lexoi një deklaratë, nëpërmjet të cilës dënohet ky akt makabër dhe u shprehen ngushëllime institucioneve e popullit francez.

Të ngjashme