12 ambasada mbetën pa ‘zot shtëpie’, MPJ-ja tejkalon afatet e dhëna

Prishtinë | 01 Sht 2021 | 10:59 | Nga Ekonomia Online

“Ambasadorët janë shkarkuar apo liruar nga detyra por kthimi i tyre në Kosovë është data 30 gusht. Pas datës 30 gusht është ambasadori i ri aty”, kjo ishte deklarata e kryediplomates, Donika Gërvalla kur u pyet se kur do të emërohen ambasadorët e rinj, pasi shkarkoi 12 prej tyre.

Po ndonëse kjo datë ka kaluar, nga ekzekutivi, konkretisht nga Ministria e Punëve të Jashtme që udhëhiqet nga Donika Gërvalla, nuk ka pasur lëvizje për emërimin e ambasadorëve të rinj, ndonëse tashmë disa prej tyre, kanë liruar detyrën.

Për këtë çështje, Gazeta “Enigma”, ka provuar të kontaktoj me zyrën e Gërvallës, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë, lidhur me këtë proces, kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë nga radhët e LVV-së, Haki Abazi tha për media se ky proces pritet të përfundojë javët në vazhdim.

“Ambasadorët e rinj janë në proces të emërimit dhe ky proces do të përfundojë sipas procedurave në javët në vazhdim. Siç e dini Kuvendi është në pushim dhe sapo të rifilloj punën do të kryej obligimet që i përkasin në procesin e emërimit dhe konfirmimit të ambasadorëve”, ka thënë Abazi

Kritikat e ish ambasadorëve dhe mos zëvëndësimi i tyre

E kritika për formën se si përfundoi mandati i tij, pati ish ambasadori i Kosovës në Australi, Hajdin Abazi.

Teksa ka rrëfyer momentin e largimit nga ambasada ai potencoi se nuk ka ardhur askush për të bërë pranim-dorëzimin e detyrës.

Ai është shprehur i zhgënjyer se si qeveria as pas tre muajsh nuk arriti ta sjellë një diplomat në Australi.

“Duke qenë se në Ambasadë ka materiale konfidenciale, vula, materiale konsullore, aparatura, vetura me targa diplomatike etj. etj., unë e kam bërë skenimin e gjendjes ashtu sikurse po e lë Ambasadën që ta kem si dëshmi. Nga ky çast, unë nuk kam përgjegjësi për Ambasadën…E mbylla Ambasadën duke lënë gjithçka sikurse ishte, në mënyrë të rregullt, i lashë të gjithë çelësat brenda dhe më nuk kam asnjë qasje në të, dhe në ora 17:07 minuta dola nga Ambasada”, është shprehur Abazi.
Përpos Abazit, detyrën në datën e kërkuar e ka liruar edhe Nait Hasanii cili kishte shërbyer si ambasadori i Kosovës në Shqipëri.

Ai ka dorëzuar detyrën e ambasadorit, duke mos pasur një pasardhës të përcaktuar për këtë pozitë.

Përpos Hasanit, detyrën e ambasadorit e ka dorëzuar edhe Gëzim Kasapolli, ka njoftuar të hënën zyrtarisht e ka dorëzuar detyrën e ambasadorit në Kroaci.

“Pas 4 viteve të shërbimit tim në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zagreb, unë sot dorëzova detyrën e Ambasadorit. Ishte nder dhe privilegj të shërbej dhe të përfaqësoj shtetin tonë në Kroacinë mike. Falënderoj familjen time për mbështetje, koleget e mi për bashkëpunim dhe bashkatdhetarët tonë për mikpritje. Ju dëshiroj të gjithëve shëndet dhe sukses“, kishte shkruar ai.

Opozita: Mungesa e ambasadorëve, imazh i keq për vendin

Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Ariana Musliu – Shoshi për Gazetën “Enigma”, ka thënë se Qeveria e Kosovës me mos emërimin e ambasadorëve po shkel premtimet e bëra para ardhjes në pushtet.

“Pas shumë përpjekjeve që të marr përgjigje nga ministrja Gërvalla përmes pyetjes parlamentare në Kuvendin e Kosovës nuk pata sukses, sepse ajo mungonte gjithmonë, pyetjen e adresova te kryeministri. Siç e kujtoni përgjigja e kryeministrit ishte që së pari do të bëhet ndryshimi i projektligjit për shërbim të jashtëm, ku përfaqësimi do të jetë 70% e shefave të misioneve do të jenë të karrierës dhe vetëm 30% do të jenë politik. Sipas programit legjislativ ky projektligj do të duhej të vinte në Komision më datë 31 qershor 2021 dhe kjo nuk ka ndodhur”, ka thënë ajo,

Kësisoj deputetja Musliu – Shoshi thekson se mungesa e ambasadorëve në shtete kyqe e dëmton imazhin e Kosovës.

“Një situatë e tillë në politikë e jashtme do të krijoj dëme të pariparueshme për imazhin e Kosovës në botë po ashtu edhe në konsolidimin e mëtejmë të shtetit tonë. Në vazhdimësi e kam ngritur zërin sa i përket çështjes se përfaqësimit tonë në botë e posaçërisht emërimit te ambasadoreve në shtetet me rëndësi të veçantë në politiken botërore siç është Washingtoni, Brukseli, Berlini, Londra, Tokyo, Kanberra e shumë shtete të tjera në botë. Padyshim, se shkarkimi i ambasadoreve e dëmton rënd Kosovën sidomos tani kur kanë mbetur edhe 4 ditë deri në skadimin e moratoriumit nga Marrëveshja e Uashingtonit”, ka deklaruar ajo.

Tutje ajo ka thënë se nevojitet lobim serioz tek këto shtete me qëllim që Kosova të arrij anëtarësimin në organizata ndërkombëtare

“Pa pasur misione të konsoliduara me staf profesional dhe lobim serioz për ne si shtet i vogël është i pamundur anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Kujtojmë që në raportimin e Ministres Gervalla në Komisionin për Punë te Jashtme në muajin qershor, kishte premtuar se ambasadoret do të emërohen deri më datën 31 gusht 2021. Andaj, mos emërimi i ambasadoreve të rinj tregon papjekurinë e qeverisë Kurti karshi diplomacisë  kosovare dhe tregon qasje jo serioze ndaj shteteve mike, e acarim të marrëdhënieve si në rastin me shtetin e Australisë”, shtoi tutje ajo.

Ndërkaq, më 19 maj të këtij viti Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) i ka propozuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani të lirojë nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të cilët janë të emëruar politikisht.

Sipas ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, së paku pesëdhjetë për qind të emërimeve të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës.

Pjesa tjetër e të emëruarve mund të jenë të emëruar politikë.

“Të emëruarit në pozitën e Ambasadorit dhe Shefit të Misionit që nuk janë anëtarë në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës shërbejnë vetëm për një mandat, dhe pas përfundimit të këtij mandati, nuk konsiderohen pjesë e Shërbimit të Jashtëm”, thuhet në ligj.

Të ngjashme