AAK-ja nuk e pranon “ndërrimin” e rezultatit në Istog

Istog | 18 Dhj 2017 | 19:12 | Nga

Partia e Gani Dreshajt nuk po arrinë ta “përpijë” humbjen në Istog, duke i vlerësuar si qesharake dhe të papranueshme ndërrimin e rezultatit të sotëm pas gabimit të pranuar të KQZ-së.

AAK-ja ka thënë se fitues është kandidati i tyre dhe kanë akuzuar KQZ dhe gjykatat se ia morën fitoren në tavolina.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i vlerëson tejet qesharake dhe të papranueshme veprimet e sotme të të ndërrimit të rezultateve të zgjedhjeve në Komunën e Istogut nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor sipas dëshirave politike. Për AAK-në, fitues i zgjedhjeve në Istog është z. Gani Dreshaj, i konfirmuar dy herë me votë të qytetarëve por i rrëzuar në tavolinat politike të KQZ-së dhe Gjykatave”, thuhet në kumtesën e AAK-së.

Në kumtesë thuhet se do të jenë ata vetë që do të kujdesen që vullneti i qytetarëve të vihet në vend, duke lënë të kuptohet se nuk do të pranohen zgjedhjet në këtë komunë.

“Në funksion të realizimit të vullnetit të qytetarëve të Istogut, AAK do të ndërmar të gjitha veprimet ligjore duke kërkuar rinumrim të të gjitha kutive të votimeve në komunën e Istogut dhe të vendos vullnetin e qytetarëve në vend. Ju kujtojmë të gjithë akterëve të tavolinave politike se Istogu, nuk i takon me ”tapi” asnjë grupacioni politik, por qytetarëve të Istogut të cilët dy herë konfirmuan vullnetin e tyre për Dreshajn si kryetar komune dhe Aleanca do të kujdeset që ky vullnet të vihet në vend”.

Ndryshe, sot AAK’ja pësoi humbje në Istog me vetëm 14 vota diferencë, por duket se një gabim nga KQZ që nxori fitues mbrëmë kandidatin e AAK’së, ka zemëruar këta të fundit.

Të ngjashme