Abdixhiku për Qeverinë Kurti: 12 muaj të përcjellë me populizëm dhe kapje të bordeve, arrogancë e konflikte

Prishtinë | 22 Mar 2022 | 12:38 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku e ka cilësuar si të paaftë, arrogante qeverisjen njëvjeçare të Albin Kurtit, raporton Ekonomia Online.

Abdixhiku ka thënë se në 12 muajt, Qeveria Kurti është përcjellë me populizëm e arrogancë, ndërsa ka braktisur kauzat fondamentale që i proklamonte Vetëvendosje.

Në një konferencë për medie, Abdixhiku ka prezantuar dështimet qeveritare në krizën energjetike; krizën e çmimeve; mosgazifikimin e Kosovës, politikën e jashtme të izoluar, kapjen nepotike të ndërmarrjeve publike, mosfunksionalizimin e institucioneve të pavarura, mosefikasitetin e Kuvendit, politizimin e vetingut; keqmenaxhimin shëndetësor e pandemik; stagnimin ekonomik; si dhe sulmet ndaj mediave si praktikë e zakonshme tashmë.

“Ky vit qeverisës, është përcjellë me popullizëm, arrogancë, arsyetime tek e shkuara e mungesë të qartë të vizionit zhvillimor për Kosovën. Është përcjellë dhe me braktisje të kauzave themeltare të ngritjes në pushtet; siç është përcjellë me braktisje të halleve e nevojave të qytetarëve në secilën krizë me të cilën është ballafaquar për një vit”.

“Nga kriza e pandemisë, tek ajo e energjetikës e deri tek rritja alarmante e çmimeve – Qeveria Kurti ka vendosur t’i braktisë qytetarët tanë, dhe në betejën e tyre me përballueshmërinë, të sillet si vështruese e krizave. Ajo ka dështuar të reagojë me kohë; siç ka refuzuar të ndërmarrë masa adekuate që do të zbusnin secilën krizë.Kjo qeveri, në paaftësinë e saj vepruese për qytetarë, megjithatë ka qenë e aftë të kapë borde, kompani publike e institucione të pavarura me të afërm e familjarë. Kapja e këtyre institucioneve jetike për funksionalizimin e shëndoshë të shoqërisë, ka rezultuar të jetë fatale në secilin ballafaqim me krizë”.

Në politikë të jashtme, sipas kryetarit të LDK-së kjo qeveri është karakterizuar nga skandale me dëme të pariparueshme për pozitën e vendit – me komunikime të turpshme e amatoreske dhe diskurs joadekuat diplomatik. “Mbi të gjitha, është karakterizuar me mungesë të takimeve të rëndësishme në nivel ndërkombëtar. Izolimi i Kosovës po merr formë çdo ditë; dhe në rrethanat e reja gjeopolitike, mosaktivizimi i Qeverisë tonë është humbje e jashtëzakonshme e mundësisë”.

E në politikën e brendshme, sipas Abdixhikut, Qeveria Kurti ka qenë sa arrogante aq edhe konfliktuoze. “Në secilën përfshirje të saj, me institucionet e drejtësisë, me sindikatat e pavarura, me përfaqësuesit e biznesit, me trupat tjerë autonom – dhe me vet spektrin politik në vend, kjo qeveri ka dështuar të sigurojë konsensusin minimal për një demokraci të shëndoshë e prosperuese”.

“Tendencat e saja kontrolluese prej pushtetit absolutist, janë përcjellë me sulme edhe ndaj medieve e ndaj fjalës së lirë”.

Por, Abdxhiku tha se partia që ai drejton nuk do të bëjë asnjëherë opozitën ndaj interesave të vendit.

“Guximi ne politikë është bazë esenciale e veprimit. Për neve është e rëndësishme që Kosova të ketë stabilitet institucional. Ne do të përgatitemi për zgjedhje kur do të vijnë. Qeveria do të rrëzohet nga vetja jo nga ne. Ne do të bëjmë opozitën me qytetarët tanë. Nuk do të bëjmë opozitën e Kurtit në Kosovë. Ka vdekur dhe do të vdesë ajo opozitë. Kush dinë zgjedhjet lokale e kanë treguar shumë qartë. Edhe kur vijnë zgjedhjet nacionale do të jemi gati”, tha ai.

“Dëshpërimi qytetar me një qeverisje të tillë, përtej zërit votues në zgjedhjet lokale të 17 tetorit e 14 nëntorit, është përcjellë dhe me largim masiv të qytetarëve tanë, të të rinjve e të rejave, profesionistëve e punëtorëve nga Kosova. Sot, rreth 55% e kosovarëve konsiderojnë largimin nga Kosova; dhe ky fakt duhet të na shqetësojë të gjithë”, ka theksuar kreu i LDK-së.

Të ngjashme