Abdixhiku: Thaçi s’ka autorizim të dialogojë për çështjen e kufijve dhe për asgjë tjetër

Prishtinë | 07 Sht 2018 | 11:44 | Nga

Edhe pse të gjithë i dolën kundër idesë së shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot në Bruksel se të gjitha institucionet e vendit janë pro korrigjimit të kufijve me Serbinë. Pas kësaj deklarate Express ka kontaktuar me deputetin opozitar, Lumir Abdixhiku, i cili tha se Thaçi nuk ka autorizim të dialogojë për kufijtë e as për asgjë tjetër në Bruksel. Ideja e ndarjes është ide e politikanëve në hall e zor individual, thotë deputeti.

Abdixhiku thotë se shumica shqiptare në parlamentin e Kosovës janë kundër ndarjes së Kosovës dhe secili diskutim institucional për ndryshimin e kufijve mbi të cilat është shpallur pavarësia e Kosovës përben shkelje të rënde kushtetuese dhe shkelje të rëndë të Kodit Penal.

“Partite opozitare, qe njëkohësisht përbëjnë shumicën e konsiderueshme te shqiptareve në Parlamentin e Kosovës, e kanë bërë të qartë tashmë se janë kundër çfarëdo ideje për ndarje e ndryshim kufijsh mbi sovranitetin e Republikës së Kosovës”, tha Abdixhiku për Express.

Ai përmendi edhe përpjekjen e opozitës për miratimin e rezolutës që do t’ia ndalonte Thaçit përfaqësimin e Kosovës në Bruksel.

“Kjo shumicë shqiptare, e artikuluar me së paku 57 deputetë pjesëmarrës, nëpërmjet metodave jodemokratike të kapjes, nuk është lejuar të artikulojë në institucionet relevante zërin e qytetarëve. Por, ky zë s’mund të tjetërsohet pavarësisht miratimit te rezolutës ose jo”, tha ai.

“Ideja e ndarjes se Kosovës është ide e politikaneve ne hall e zor individual, jo ide e qytetarëve e përfaqësuesve të tyre politikë”, thotë Abdixhiku.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë se Thaçi nuk është i autorizuar të flasë në Bruksel dhe beson se ky fakt do të jetë i qartë edhe për ndërkombëtarët në Bruksel.

“Presidenti i vendit nuk ka as përkrahje, e nuk ka as autorizim të merret me çështjen e kufijve te Kosovës. Ne fakt ai nuk ka autorizim as të dialogojë për çfarëdo çështje të Kosovës. Kjo tashme është e qartë për secilin në vend, besoj se do të jetë e qartë për secilin ndërkombëtar në Bruksel”, përfundoi Abdixhiku.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme