Abelard Tahiri – Kusari-Lilës: Në raport me Avdullah Hotin nuk mund të marr seriozisht, na ke lodh në 2017 duke kërkuar votë për të

Prishtinë | 07 Gus 2020 | 19:22 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se qytetarët më shumë u besojnë deklaratave të Ramadan Krasniqit, Remzije Osmanit, se sa Albin Kurtit e Avdullah Hotit. Sipas tij, është e pamoralshme dhe e pandershme që sot t’u kërkohet vota qytetarëve e të shkohet në zgjedhje. Për këtë ka reaguar edhe deputetja Mimoza Kusari-Lilës.

Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës tha se Albin Kurti me veprimet ad-hoc, e solli vendin pranë kolapsit dhe e solli vendin pranë një dështimi të madh.

“Aq shumë ka rënë kredibiliteti i qeverive, sa që sot qytetarët më shumë je besojnë këngëtarëve si Ramadan Krasniqi e Remzije Osmani, se sa Albin Kurtit e Avdullah Hotit. Këtu e kanë pru gjendjen pra këta dy kryeministra. Albin Kurti ka dështuar ta sjell në kuvend projektligjin për kuvend. Qeveria e tij ishte qeveria e parë e Kosovës që përpos iniciativës së buxhetit, asnjë ligj nuk e solli në Kuvendin e Kosovës për tre muaj. Aq më keq Avdullah Hoti sot po e refuzon ta sjell një ligj të tillë në Kuvendin e Kosovës. Dështimi i këtyre dy kryeministrave i ka kushtuar aq shumë qytetarëve, ekonomisë, sistemit tonë shëndetësorë dhe vet shtetit, sa këtë faturë vështirë do të mund ta paguajmë pa pasoja të rënda”, ka shtuar ai.

Ndër tjera, ai tha se Lëvizja Vetëvendosje në kohën kur po vdesin deri në 16 persona në ditë nga koronavirusi, po synon zgjedhjet. Për çka tha se është e pamoralshme dhe e pandershme.

“Ne gjatë kësaj kohe kemi parë se si LVV kur i kishim 15-16 raste në ditë mundohej ta bllokonte edhe mbajtjen e këtyre seancave kinse e rrezikojmë shëndetin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ndërsa, sot kur po vdesin 15-16 persona në ditë, është pikërisht LVV që kërkon zgjedhje. Kjo është vërtetë e pakuptimtë, kjo tregon se sa të pasinqertë, dhe të pavendosur, dhe sa mashtrues janë. Sot është e pamoralshme, e pa ndershme t’i kërkosh një qytetari t’i drejtohet kutive të votimit në kohën ku mund të infektohet, dhe në kohën kur mund të përfundojë në spital, dhe në kohën kur mund të ndërrojë jetë, si rezultat i asaj që t’ia jap votën për të ardhur në këtë kuvend”, ka deklaruar Tahiri.

Për këtë ka reaguar në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Sipas saj e pamoralshme është që të abuzohet me fakte.

“Për një ish-ministër të Drejtësisë me përdor terma si e pamoralshme edhe e pandërgjegjshme, edhe me abuzua me fakte, me të vërtetë është e pamoralshme dhe e pa ndërgjegjshme”, ka deklaruar ajo.

Për këtë, Tahiri i tha deputetes Kusari-Lila se nuk mund ta marrë seriozisht deklaratat e saj për Avdullah Hotin, meqë ishte e njëjta që në vitin 2017 kishte kërkuar votë për këtë të fundit.

“Në raport me Avdullah Hotin nuk mundem me të marr seriozisht. Sepse në vitin 2017, na ke pas lodh duke e kërkuar votën për to në çdo debat televiziv, në tribuna politike, duke na thënë që është kandidati më i mirë, dhe kryeministri më i mirë që e ka Kosova. Dhe në raport me të nuk mundem me të marr seriozisht”, iu drejtua ai.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka deklaruar se edhe nëse kjo parti përkrah mocionin e LVV-së, nuk do të jetë pjesë e listës së zgjedhjeve.

“Edhe sikur partia ime ta kish mbështet këtë mocion që vendi të shkojë në zgjedhje, në asnjë rrethanë nuk do të kisha pranuar që të jem pjesë e asnjë liste garuese që t’iu kërkojë qytetarëve të dalin në kohë pandemie të ma jepin votën, dhe ta rrezikojnë jetën e tyre”, ka shtuar ai.

Të ngjashme