Analistët: Deklaratat e Kurtit për takim me opozitën për dialogun, një formalitet

Prishtinë | 01 Maj 2021 | 14:30 | Nga Ekonomia Online

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel pritet të rifillojë në muajin qershor, por kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se paraprakisht do të zhvillojë një takim me partitë opozitare gjatë majit, për të pasur edhe qëndrimet e tyre sa i përket këtij procesi.

Mirëpo, nga njohësit e rrethanave politike kjo deklaratë e kryeministrit Kurti është duke u vlerësuar si një formalitet.

Analisti Imer Mushkolaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Kurti nuk është shembulli i mirë i përfshirjes së opozitës në dialog.

“Kurti nuk është shembulli i mirë i përfshirjes së opozitë në dialog, kur ka qenë vet në opozitë. Kështu që pavarësisht thirrjes që ai bën tingëllojnë shumë hipokrite ato thirrje që duhet edhe opozita të përfshihet ndërkohë që nuk ka dhënë shembull kur ishte në opozitë”, ka thënë Mushkolaj.

Ai po ashtu tha se përfshirja e opozitës në dialog nuk është e domosdoshme, pasi siç vlerësoi Mushkolaj roli i opozitës është që t’i shqyrtoj marrëveshjet e arritura në Bruksel me anë të ratifikimit të tyre në Kuvendin e Kosovës.

“Natyrisht që përfshirja e opozitës nuk është e domosdoshme, por çfarëdo marrëveshje që të arrihet të ratifikohet më 2/3 e votave në Kuvendin e Kosovës. Opozita tashmë sidomos LDK dhe PDK janë dy parti kryesore të cilat e mbajnë përgjegjësinë, vulën kryesore të këtij dialogu, prej vitit 2011 e deri tash. Po ashtu tingëllojnë hipokrite këto kritika nga opozita, karshi Kurtit për çështje të cilat vet i ka shty në dialog dhe i ka miratuar në Kuvend”, ka thënë tutje ai.

Edhe Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, ka thënë se deklarata e Kurtit për një takim me partitë opozitare është më shumë një formalitet.

“Më shumë si formalitet, pasi qeveria duhet të paraqes njëherë platformën dhe ta diskutoj në Kuvend. Dhe në kuptimin e një formaliteti është i pranueshëm, nuk e shoh diçka përmbajtësore, por në aspektin teknik si detyrim që duhet ta kryej”, u shpreh ai.

Sipas Demhasajt, në dialog nuk është mirë të përfshihet vetëm qeveria, por edhe opozita.

“Mendoj që është qasje e mirë dhe e duhur që në dialog mos të involvohet vetëm qeveria. Mirëpo, duke e marr parasysh të kaluarën është kërkuar vazhdimisht që opozita të bëhet pjesë e saj dhe opozita e ka kundërshtuar këtë, sidomos VV-ja”, theksoi ai.

Të ngjashme