Ashpërsohet gara në LDK: Qarkullon një peticion online, në mbështetje të Vjosa Osmanit për kryetare të LDK-së

Prishtinë | 29 Kor 2019 | 16:53 | Nga Ekonomia Online

Në prag të zgjedhjes së kryetarit të ri të LDK-së dhe organeve të reja, është krijuar një peticion online në përkrahje të Vjosa Osmanit.

‘Vjosa Osmanin kryetare të LDK-së dhe kryeministre të Kosovës’ është emërtuar peticioni që kërkon mbështetje për Vjosa Osmanin.

Krahas kërkesës për ta zgjedhur kryetare të LDK-së dhe kryeministre të Kosovës, aty kritikohen kolegët e Osmanit.

“Fillimisht, ishin Agim Veliu, Lutfi Haziri, Astrit Haraqija, etj që ishin bërë patericë e Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinaj. Të njëjtën traditë e vazhdojë edhe Fatmir Sejdiu, kurse krejt në fund Isa Mustafa e bëri president Hashim Thaçin, i cili e përzuri kokëulur nga karriga e kryeministrit”, thuhet në peticion.

Andaj sipas iniciusve të peticionit, idealja për drejtim të LDK-së është veç Vjosa Osmani.

“Kështu që është ideale që Vjosa Osmani të zgjidhet kryetare e LDK-së. Vetëm Vjosa Osmani ka ditur të përballet me politikanë injorantë si Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj me shokët e tyre.

Me Vjosën dhe të rinjtë intelaktualë të LDK-së si Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku, Driton Selmanaj, etj, do të krijohet pas 30 viteve alternativa e re e intelektualëve të rinj të Kosovës, që do ta duan dhe zhvilojnë Kosovën “si një shtet të pavarur dhe demokratik, i hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë dhe në partneritet të përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europës Perëndimore”, që është amanet i Dr. Ibrahim Rugovës, e të cilën amanet nuk e ka plotësuar as Lutfi Haziri, as Fatmir Sejdiu, as Agim Veliu – përkundrazi janë bërë patericë të pushtetit”.

Ndërsa insistimin që Vjosa Osmani të jetë kryetare e LDK-së, përpiluesit e këtij peticioni e kanë justifikuar edhe me kërkesën e ambasadorit amerikan Kosnett, i cili ka thënë që në krye të një partie të jetë një femër.

“Fundja, një kryetare femër të një partie e kërkon edhe ambasadori më mik i Kosovës, Philip Kosnett. Pse mos te jetë ajo Vjosa Osmani dhe LDK të prijë edhe në këtë proces ashtu sikurse ka pri në shumë të tjerë.

Krejt në fund ky peticion organizohet “për t’i treguar delegatëve të LDK-së se duhet të jenë shumë të vëmendshëm kur të shkojnë në Kuvendin e LDK-së më 3 gusht. Ta votojnë njeriun e duhur për kryetar, njeriut që i jep dinjitet partisë se tyre dhe normalisht fitore, e mos të votojnë për një grusht para njerëz që janë në LDK por komandohen nga SHIKu”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme