Aspirata e Kosovës për Partneritetin për Paqe, NATO: Ne vendimet i marrim me konsensus

Prishtinë | 30 Sht 2022 | 17:37 | Nga Ekonomia Online

Lufta e paprecedentë që Rusia kishte nisur në Ukrainë në fillim të këtij viti kishte rritur frikën në shumë shtete, përfshirë edhe Kosovën si pjesë e një rajoni fragjil si Ballkani Perëndimor. Kjo kishte bërë që të kërkohej me çdo kusht nisja e hapave për futjen nën ombrellën e sigurisë së NATO-së.  

Për këtë çështje kanë folur në vazhdimësi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shefja e shtetit, Vjosa Osmani. Të dy kishin përmendur aspiratën e Kosovës që fillimisht të bëheshin pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-së, anëtarësim ky që më pas do t’ia hapte rrugën Kosovës për t’u bërë pjesë e Aleancës Veri Atlantike.

Këtë aspiratë të Kosovës presidentja Vjosa Osmani e ka përsëritur edhe në takimin e fundit që ka pasur me Sekretarin e NATO-së, Jens Stoltenberg, në New York me 22 shtator.

“Presidentja Osmani ka theksuar se këtij hapi duhet t`i paraprijë përfshirja e Kosovës në Partneritetin për Paqe. Në këtë kontekst, e përmendi faktin se Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila po zhvillohet në përputhje me standardet e NATO-s, do t’ia mundësojë Kosovës një rol aktiv në kuadër të sigurisë rajonale dhe globale”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Presidenca e Kosovës.

Megjithatë nga NATO e bëjnë të qartë që të gjitha vendimet përfshirë edhe anëtarësimin në Partneritetin për Paqe merren me konsensus, që nënkupton se për anëtarësim Kosova duhet ta ketë edhe përkrahjen e katër shteteve që  janë anëtare të NATO-s por që s’e njohin pavarësinë.

“Të gjitha vendimet në NATO, përfshirë anëtarësimin apo Partneritetin për Paqe, merren nga Aleanca Veri Atlantike me konsensus”, ka thënë një zyrtar i NATO-s për Gazetën Express.

Por ky zyrtar i NATO-së ka theksuar se në Samitin e Brukselit të vitit 2021, vendet anëtare të NATO-s e kanë përsëritur përkushtimin për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen për aspiratat euro-atlantike të rajonit.

Nga NATO kanë theksuar tutje se vazhdojnë angazhimin në Kosovë përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës në kryerjen e aktiviteteve dhe ngritjen e kapaciteteve të organizatave të sigurisë së Kosovës.

“Angazhimi i NATO-s në Kosovë nuk ka ndryshuar. Ne mbetemi fuqishëm të përkushtuar përmes misionit tonë të KFOR-it, i cili kontribuon për një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe për një stabilitet më të gjerë në Ballkanin Perëndimor. Përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, ne gjithashtu vazhdojmë të kryejmë aktivitetet tona për ngritjen e kapaciteteve në mbështetje të organizatave të sigurisë së Kosovës, brenda mandatit të tyre fillestar. Çdo ndryshim në qëndrimin e forcave tona në KFOR mbetet i bazuar në kushte dhe jo i drejtuar nga kalendarët”, thuhet në përgjigjen e këtij zyrtari të NATO-s.

Shtetet anëtare të NATO-së që vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës janë Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia.

Të ngjashme