BE-ja i bën thirrje institucioneve: Për ta luftuar korrupsionin forcojeni Prokurorinë Speciale

Prishtinë | 05 Shk 2019 | 12:03 | Nga Besjana Bajrami

Bashkimi Evropian (BE) po kërkon nga institucionet e Kosovës që të ndërmarrë hapa konkret në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë, kusht ky i përcaktuar për heqjen e vizave.

Përderisa institucionet në vend shprehen të bindur se kanë përmbushur të gjitha kriteret në mënyrë që kosovarët të lëvizin pa viza në zonën Schengen, nga BE shpreh se duhet ende punë.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësuese së lartë të BE-së, Frederica Mogherini, në një përgjigje për Ekonomia Online ka thënë se Kosova duhet ta forcojë Prokurorinë Speciale në mënyrë që të luftohet korrupsioni.

Sipas Kocijançiqit, Kosova është zotuar ta luftojë korrupsionin edhe në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

“Sipas Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit BE-Kosovë, Kosova është zotuar të forcojë luftën kundër korrupsionit. Siç ka theksuar Komisioni në paketën vjetore të zgjerimit, Kosova ka bërë progres, duke përfshirë reformat thelbësore legjislative të miratuara nëntorin e kaluar. Përpjekjet e bashkërenduara mbeten të nevojshme për të luftuar korrupsionin në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe strategjike”.

“Kjo përfshin, mes masave të tjera, forcimin e mëtejshëm të Prokurorisë Speciale, zbatimin e plotë të kuadrit ligjor të rishikuar, si dhe një përpjekje më të qëndrueshme për të hetuar dhe sanksionuar shkeljet e legjislacionit për financimin e partive politike”.

Ajo mes tjerash i tha Ekonomia Online se gjetjet e Komisionit Evropian (KE) lidhur me sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor do të ndikojnë në anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).

“Ne kemi marrë shënim të kujdesshëm të indeksit vjetor të perceptimit të korrupsionit të paraqitur nga Transparency International”.

“Komisioni vlerësoi sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor dhe gjetjet do të jenë në dispozicion në raportin vjetor të zgjerimit të ardhshëm”.

“Në Strategjinë për Ballkanin Perëndimor, Komisioni theksoi nevojën për reforma gjithëpërfshirëse në fusha vendimtare për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE”.

“Lufta kundër korrupsionit është një fushë kaq e rëndësishme. Ne e mbështesim këtë luftë përmes një sërë masa  specifike dhe veprimeve të përkushtuara, duke përfshirë nën-iniciativat kryesore”, tha ajo, raporton EO.

Organizata ndërkombëtare Transparency International publikoi të martën Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2018, i cili thekson se dështimi i vazhdueshëm i shumicës së vendeve për të kontrolluar korrupsionin, është duke kontribuar në një krizë të demokracisë në gjithë botën.

Në indeksin e sivjetmë, Kosova radhitet e 93-ta, me 37 pikë, çfarë do të thotë se ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit krahasuar me vitin paraprak, kur ka qenë në vendin e 85-të, me 39 pikë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme